Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga ana e Komisionit për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës

, 28.12.2009




Komisioni për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Drita Kadriu, nënkryetare e Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin pёr Mërgatën e Kosovës, të miratuar në parim nga Kuvendi në tetor të këtij viti. Në këtë dëgjim merrnin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të tjera që kanë të bëjnë me mërgatën , si dhe ambasadorët e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Turqi, përkatësisht Muhamet Hamiti e Bekim Sejdiu. Në fjalën hyrëse, Drita Kadriu, theksoi se qëllimi i këtij projektligji është ruajtja e identitetit ,gjuhës dhe kulturës së qytetarëve të Kosovës që punojnë e jetojnë në vende të ndryshme të botës, si dhe rritja e bashkëpunimit shumë palësh në lëmenjtë kulturorë,arsimorë , shkencorë etj.

Me anë të këtij ligji të ardhshëm krijohet baza për themelimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mërgatën e Republikës së Kosovës. Po kështu , në mbështetje të tij do të themelohen edhe qendrat kulturore nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat do të veprojnë jashtë vendit. Krijohen kështu mundësi që qendrat kulturore të bëhen faktorë të rëndësishëm të këmbimeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe shteteve të ndryshme të botës.

Me këtë projektligj për herë të parë Kosova do të rregullojë çështjet që kanë të bëjnë me Mërgatën e Kosovës. Projektligji është harmonizuar edhe me ligjet përkatëse, përkatësisht standardet e Bashkimit Evropian.

Në debat morën pjesë shumë diskutues, të cilët vlerësuan rëndësinë e madhe të këtij Projektligji, për mërgatën tonë, e cila me kontributin që ka dhënë në zhvillimin e vendit në të gjitha periudhat, vërtet meriton një ligj gjithëpërfshirës e cilësor. Diskutuesit me vërejtje dhe sugjerime të ndryshme u përpoqën të ndihmojnë në begatimin dhe rregullimin e çështjeve të ndryshme që ngërthen Projektligji, duke premtuar se edhe më tutje do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë për përsosjen e këtij Projektligji me zgjidhje sa më të mira.
Dëgjim publik organizuar nga ana e  Komisionit për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës