Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur në Kuvend, me rastin e vizitës së zotit Stjepan Mesiq, president i Republikës së Kroacisë

, 08.01.2010




I nderuar President, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
I nderuar Përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare, zoti Piter Feit,
Të nderuar deputetë, ministra, përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin të paraqes në këtë seancë solemne të Kuvendit, Presidentin e Republikës së Kroacisë dhe mikun tonë, zotin Stjepan Mesiq.

Zoti Mesiq është udhëheqës i dashur i popullit të mik kroat dhe burrështeti i respektuar në botë.

Në Kosovë, presidenti Mesiq çmohet si mik i madh, i cili mbrojti në kohë të vështira të drejtat legjitime të popullit tonë, kontribuoi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për thellimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe popujve tanë. Republika e Kroacisë ishte një nga mbështetësit brilantë të Pavarësisë së Kosovës në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

I nderuar president Mesiq, mirë se erdhët në Republikën e Kosovës dhe mirë se erdhët në organin e saj më të lartë ligjvënës. Duke ju përshëndetur përzemërsisht, dëshiroj që në emër të Kuvendit të Kosovës t'ju falënderoj për vizitën që po na bëni në fund të mandatit shumë të suksesshëm të presidentit dinjitoz të Republikës së Kroacisë.

Unë ruaj kujtime të paharrueshme nga pritja që m’u bë vitin e kaluar në Kroaci dhe nga takimi shumë i ngrohtë e miqësor që pata me Ju në Zagreb, por sot dua ta shfrytëzoj edhe këtë rast që më jepet për t’ju shprehur Juve dhe Atdheut tuaj, mirënjohjen e thellë dhe falënderimin e pafund, në emër të Kuvendit të Kosovës, të qytetarëve dhe timin personalisht për gjithë çfarë keni bërë për Kosovën e për qytetarët e saj.

Me ndihmën e miqve tanë, në këtë sallë ne e shpallëm pavarësinë, më 17 shkurt 2008, miratuam Kushtetutën moderne dhe ngritëm infrastrukturën ligjore për institucionet demokratike të Republikës së Kosovës, për të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë.

Pavarësia e Kosovës, së cilës i keni kontribuuar edhe Ju zoti president, tashmë është njohur nga 64 vende anëtare të OKB dhe po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova e re ka ndryshuar shumë dhe shpejt, duke u bërë atdheu i lirë i një shoqërie multietnike me qytetarët e barabartë, pa dallim etnie, bindjeje politike apo fetare. Nga një vatër krizash e krimesh gjenocidale, Kosova përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon.

Mbi bazën e të arriturave të deritanishme, Kosova do të ecë e vendosur drejt prosperitetit të vazhdueshëm, drejt sundimit të plotë të ligjit, drejt demokratizimit e zhvillimit dhe drejt integrimeve euroatlantike, sepse ky është vullneti i qytetarëve dhe perspektiva e vetme e saj. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, por e dimë që nuk do të na mungojë mbështetja e miqve tanë.

Prioritete të shtetit tonë të ri, janë anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB, zhvillimi i gjithëmbarshëm e ngritja e mirëqenies dhe integrimi rajonal e euroatlantik.

Zoti president Mesiq, kam kënaqësinë t'ju ftoj t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit.