Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit të Republikës së Kroacisë, mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës

, 08.01.2010




Zotëri kryetar i Kuvendit të Kosovës, me kënaqësi të veçantë po ju drejtohem sot, me rastin e vizitës së parë zyrtare të një presidenti kroat, Republikës së Kosovës, anëtarëve të trupit më të lartë , përfaqësuesve të shtetit më të ri, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, e njëkohësisht edhe shtetit të popullit më të vjetër të kësaj pjese të kontinentit të vjetër.

Dhe, menjëherë, në fillim, më duhet qartas të them këtë: vizita ime Kosovës nuk është e drejtuar kundër askujt. Ajo, është vetëm në funksion të forcimit të marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe stabilitetit dhe sigurisë në tërë rajonin. Kam ardhur në Kosovë si mik - i shtetit të ri, por edhe të gjithë qytetarëve të saj, edhe kosovarëve, edhe serbëve. Përsëris : edhe kosovarëve, edhe serbëve!

Qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb dje e kanë festuar Krishtlindjen. Unë do të shfrytëzoj mu këtë vend që t’ju uroj këtë festë të madhe me urimin tradicional “Hristos se rodi”. Është koha e fundit që të kuptohet, në të gjitha anët, që e ardhmja është në bashkim, në bashkëpunim, në ndihmë reciproke, për shembull, mu në kushtet e krizës ekonomike e cila na godit të gjithëve.

Këtë dëshiroj të them qysh në fillim, sepse siç e dini në disa qarqe ka interpretime të ndryshme të vizitës sime. Mirëpo, unë edhe këtu, si edhe në shumë vende të tjera që i kam vizituar në dhjetë vite të mandatit tim, kam ardhur me vetëm e vetëm një qëllim: të nxis bashkëpunim të ndërsjellë, si në kuadër të bilaterales, ashtu edhe multilaterales, të ftoj në bashkëpunim, i cili do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve tonë.

Vijë në kohën kur Kosova ende me shumë mundime depërton në skenën ndërkombëtare, kur kërkon vendin e vet në botë, vendin i cili i takon ,sepse çdo populli i takon e drejta për vetëvendosje dhe që të drejtojë fatin e vet. Pozita kushtetuese-ligjore e Kosovës si krahinë autonome në ish - Jugosllavi ka qenë e zgjidhur në mënyrë të veçantë , në mënyrë e cila nuk gjendet askund në botë, kështu që është plotësisht e arsyeshme kur thuhet që Kosova është rast sui generis.

Kur interpretohet kushtetuta jugosllave e vitit 1974, nuk duhet të thirremi vetëm në shkronjat e Kushtetutës, por edhe në shpirtin e saj. E atëherë janë konsekuencat të qarta, mu siç është e qartë edhe ajo që Kosova si krahinë autonome në federatën jugosllave nuk mund të krahasohet me asnjë autonomi ekzistuese, ose ish - autonomi në cilin do shtet të ndërlikuar, të tashëm ose të dikurshëm.

Kroacia është udhëhequr mu në këtë kur e ka vendosur që të pranojë Kosovën e pavarur. Kemi menduar se nuk ka rrugë tjetër. Bisedat mbi statusin e Kosovës nuk kanë dhënë kurrfarë rezultate, federata pjesë përbërëse e së cilës , d.m.th: si pjesë konstituive Kosova ka qenë, edhe pse ka qenë e lidhur edhe me Republikën e Serbisë, kjo federatë nuk ka ekzistuar më dhe është dashur të përcaktohet se çka do të bëhet me Kosovën. Administrimi ndërkombëtar në kohë të pacaktuar po ashtu nuk ka qenë kurrfarë zgjidhje.

Është e qartë që Serbia vështirë pajtohet me atë që ka humbur, pjesën e cila ka qenë gati njëqind vjet të fundit në përbërjen e saj, por edhe pjesa e cila është pandarë e lidhur me rrënjët e saj historike. Dhe, është e qartë që Serbia e ka vështirë të bie vendimin për pranimin e Kosovës. Shumë herë deri më tani kam thënë, do të përsërisë edhe sot: Serbia nuk do të thotë se duhet ta pranojë me çdo kusht Kosovën, por kurdo herë nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të interesave të serbëve që jetojnë këtu, duhet të vendosë një modus vivendi të caktuar për Kosovën.

Dhe, do të ishte mirë që qytetarët e nacionalitetit serb të mos këshillohen më që të refuzojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në organet e pushtetit të shtetit të ri, që të bojkotojnë zgjedhjet dhe kështu vetvetes t’i pamundësojmë të drejtën e vendosjes mbi atë se si do të jetojnë. Po kështu do të ishte mirë që të pushojnë të ushqejnë ëndrrat jo reale mbi atë sikurse ende nuk ka përfunduar, se rrota historike mund të kthehet prapa.

Nuk mundet!

Është shkatërruar ish - federata e Jugosllavisë, të gjithë e dinë, tërë bota e di, kush e mban përgjegjësinë më të madhe për këtë shkatërrim dhe me këtë shkatërrim ka qenë vetëm pyetja e kohës kur do të vijë deri të pavarësimi i Kosovës. As që mund të kthehet federate jugosllave, e as Kosova nuk mund të kthehet në gjendje në të cilën ka qenë para shpalljes së pavarësisë. Arkitektura e kësaj hapësire është kryer dhe tani është para të gjithëve, theksoj: para të gjithëve, detyra e madhe e hyrjes në Evropë të bashkuar.

Kjo Evropë e bashkuar do t’i bëjë problemet që sot duken si të pazgjidhshëm, thjeshtë të duken qesharak. Me rregulla të njëjta ligjore, me kufijtë të hapur, me liri të plotë të lëvizjes të njerëzve, duke përfshirë këtu edhe fuqinë punëtore, mallrave dhe kapitalit, kush do të lodhet me mosmarrëveshjet rreth asaj çka dhe kur i ka takuar dikur dhe çka, në bazë të këtyre të drejtave historike, ndoshta edhe sot duhet dikujt t’i takojë.

Kroacia nuk humb nga pamja rëndësinë e marrëdhënieve të veta me fqinjin tuaj të veriut dhe është maksimalisht e interesuar për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel më të lartë. Por, ne nuk mund të lejojmë që marrëdhëniet tona me cilin do vend në rajon të bëhen peng i marrëdhënieve me ndonjë vend tjetër të rajoni të njëjtë, respektivisht që cili do vend të “ushtrojë ashpërsinë” për arsye se kemi bërë veprim të logjikshëm, veprimin të vetëm të mundshëm, që kemi pranuar Kosovën e pavarur dhe që me këtë Kosovë të këtillë dëshirojmë të bashkëpunojmë.

Jetojmë në botën në të cilën vetëvendosja e popullit, të drejtat e njeriut, demokracia, paqja, zhvillimi, siguria, mbrojtja e ambientit, janë ligje kryesore. Ose së paku duhet të jenë. Prej kësaj, në të vërtetë, varet se çfarë do të jetë e ardhmja jonë. Prej kësaj dhe asgjë tjetër varet se a do të mbesim të robëruar në prangat e mosmarrëveshjeve të cilat e kanë shënuar shekullin e 20-të, ose do të gjejmë fuqi të bëjmë hapin përpara në këtë shekull të ri, në milenium të ri, në kohën kur raca njerëzore më në fund duhet të tregojë pjekuri të nevojshme që t’ i përkushtohet çështjeve prej të cilave varet ekzistenca e saj në të ardhmen.

Rrethi ynë i afërt është Evropa Juglindore, rajoni në të cilin shumica e vendeve e përbëjnë shtete të dala nga ish Jugosllavia. Disa prej tyre kanë qenë të kapluar drejtpërsëdrejti, ose jo drejtpërsëdrejti, me luftëra në të cilat është shkatërruar Jugosllavia, sikurse Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, disa ia kanë dalë t’i ikin shkatërrimeve luftarake, si Maqedonia, disa rrugën e vet të rëndë e kanë përjetuar kur luftërat shpërbërës kanë përfunduar, si Kosova.

Por, ne të gjithë mbajmë shenjat e dhjetëvjetorit të fundit të shekullit të njëzetë dhe të gjithë luftojmë me këtë që të pranojmë të vërtetën mbi atë çka ka ndodhur, veçanërisht mbi rolin tonë në këto ngjarje. Por, këtë të vërtetë duhet ta pranojmë, të vërtetën mbi veten tonë dhe të tjerëve. E vërteta na drejton deri te individualizimi i fajit për krimet e luftës, atje ku janë kryer, ndërsa individualizimi i fajit e largon fajin nga populli, me fjalë të tjera e largon fajin kolektiv.

Kështu dhe vetëm kështu mund të ndërtojmë të ardhmen në bashkësi. Nuk flas, natyrisht, për ndonjë shtet të ri të përbashkët, kjo kohë ka kaluar, flas për nevojën e bashkëpunimit të shteteve të pavarura dhe zgjidhjes së përbashkët të problemeve, si dhe paraqitjes së përbashkët ndaj vendeve të treta dhe në tregjet e vendeve të treta.

Republika e Kroacisë në krye të së cilës pata nder të jem në krye një dekadë të tërë në këtë periudhë vazhdimisht është përpjekur për bashkëpunim rajonal. Është angazhuar për lirimin nga ngarkesa e së kaluarës dhe kundër korrigjimit të historisë, duke përfshirë këtu edhe djallëzimin e antifashizimit. Por, mbi të gjitha është angazhuar për dialog të barabartë dhe me të drejta të njëjta, për përtëritjen e besimit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit.

Kjo është konstanta e politikës që e kam përfaqësuar dhe udhëhequr. Kroacia në dekadën e kaluar i ka ofruar dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve dhe të gjithë vendeve të rajonit. Me shumicën prej tyre kemi nënshkruar edhe deklaratat mbi parimet në të cilët do të mbështeten marrëdhëniet e ndërsjella, por si edhe në çdo marrëdhënie tjetër, që të jetë e suksesshme, duhet të keni partner. Disa partner tonë i kanë arsyetuar pritjet, disa nuk i kanë plotësuar pritjet tona aq sa kemi pritur, respektivisht sa kemi shpresuar, e disa të them ashtu, kanë dështuar. Do të kuptoni pse nuk emëroj vendet për të cilat po flas.

Ne, prandaj, nuk mund të ndërtojmë të nesërmen tonë, të ngarkuar me atë çka ka qenë dje, por nuk mund as të lejojmë që pa skrupull të shtrembërojmë atë çka ka qenë me të vërtetë. Unë zakonisht e them që ka ndodhur vetëm ajo çka ka ndodhur. Vetëm atë dhe asgjë më shumë. Të pranojmë atë çka ka ndodhur, të nxjerrim mësim nga ajo dhe t’i kthehemi së ardhmes.

Në shërbim të kësaj së ardhme unë jam sot këtu në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Këtu jam që të ftoj në ndërtimin e marrëdhënieve sa më të mira dhe sa më të zhvilluara ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, por edhe në përtëritjen , e kisha thënë: ringjalljen e bashkëpunimit rajonal në shërbim të forcimit të stabilitetit në rajon dhe në shërbim të përgatitjes së të gjitha vendeve të rajonit për hyrje në Evropë të bashkuar, respektivisht në integrime Euro-atlantike.

Republika e Kroacisë është në prag të hyrjes në Bashkimin Evropian. Bisedat tona hyrëse janë në fazën përfundimtare. Hyrja në Bashkësi, pas hyrjes në aleancë Atlantike, të cilën e kemi realizuar vitin e kaluar, ka qenë njëri prej prioriteteve të proklamuara të politikës sonë të jashtme. Por, çdoherë kam përsëritur që politika jonë e jashtme nuk guxon të shteret, as të kënaqet me realizimin e vetëm këtyre dy qëllimeve prioritare. Me këtë rast as që do t’i kishim realizuar interesat tona të vërteta.

Interesi ynë i vërtetë është që në Evropë të bashkuar, që në Bashkimin Evropian, të gjenden të gjitha vendet e rajonit dhe ne jemi të gatshëm që çdonjërit prej këtyre vendeve t’i ndihmojmë që sa më shpejt të kalojë rrugën së cilës ne jemi duke shkuar. Kjo vlen edhe për Republikën e Kosovës, sa do që ajo tani ndoshta duket larg.

Dhe, në fund, nja dy tri fjalë për botën në të cilën jetojmë. Nuk mund t’i iki kësaj, sepse bota e globalizuar është me të vërtetë gjithnjë më e vogël dhe nuk ka vend i cili mund t’i ikë varësisë dhe ndërlidhjes që e karakterizon.

Jemi dëshmitarë të simptomave të qarta të thyerjes të modelit neoliberal, i cili është shprehur në krizën ekonomike që na ka goditur të gjithëve, pa marrë parasysh se a i kemi shtuar edhe diçka “nga kuzhina jonë”. Për fat të keq, më duket se ende ekziston gatishmëria që të fillohet seriozisht të mendohet mbi atë çka tash për tash thjeshtë quhet rendi i ri botëror. Është koha e fundit për këtë.

Jetojmë në botën e ardhmja e së cilës është seriozisht e rrezikuar me ndotjen e ambientit dhe ngrohjes globale. Nuk është frazë, nëse thuhet se është në pyetje ekzistenca e racës njerëzore. Por, përsëri më duhet të përsëris shprehjen : për fat të keq, konferenca e paradokohshme mbi ndryshimet globale klimatike, ka treguar se si interesat e ngushta nacionale ende dominojnë mbi ato të përgjithshmet, i vetmi interes i përgjithshëm, është ruajtja e jetës në Tokë.

Jetojmë, së fundi, në botën në të cilën demokracia është në rrugë që globalisht të fitojë, duke ju tërhequr vërejtjen se, natyrisht, ekzistojnë vlerat universale, të pranuara në përgjithësi, por nuk guxon të ekzistojë një model i uniformuar, të cilin në emër të çfarëdo ideali, ose interesi guxon t’i imponohet të tjerëve. E kjo ekziston, ose : së paku ka pasur dhe nuk guxon të përsëritet.

Për ne në rajon, e me këtë do të përfundojë, ndërtimi i demokracisë është i lidhur pandashëm me nevojën për luftë të ashpër, pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në shtetet tona demokracia shtetërore, shikuar objektivisht, ende është në foshnjëri. Nuk duhet të lejojmë që, me çfarëdo arsyetimi, të krijohet demokraci e trilluar, që demokracia të vlerësohet vetëm dhe vetëm sipas numrit të zgjedhjeve të mbajtura.

Demokracia është shumë më shumë se kjo.

Askush në rajon, askush në botë nuk guxon këtë ta harrojë. E tek ne është, që në kornizat tona të vogla rajonale, të tregojmë dhe vërtetojmë që ne këtë nuk e kemi harruar. Me këtë do të legjitimohemi më së miri si qytetarë të botës, me këtë do të vërtetojmë më së miri se mund të kontribuojmë që bota nesër të jetë më e mirë se sa kjo e sotme.

Ju faleminderit që më dëgjuat !