Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 19.01.2010




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Naser Osmani, nënkryetar i parë i Komisionit, ka përkrahur Draft-Raportin e punës së Komisionit për vitin 2009, si dhe ka shqyrtuar e përkrahur një varg projektligjesh, duke i proceduar për miratim në Kuvend.

Komisioni i ka dhënë përkrahje Projektligjit nr. 03/1192/L-104/1 për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-jonizues, Jonizues dhe Siguria Nukleare, me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente.

Detaje rreth këtij projektligji ka dhënë kryesuesi i grupit punues, Naim Maloku. Duke e arsyetuar domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji, Maloku ka thënë se hartimi i tij ka qenë kërkesë e Komisionit Evropian, dhe se Kosova është e obliguar të raportojë para Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike me seli në Vjenë. Maloku tha se Projektligji ka marrë mbështetjen ndërkombëtare. Ai parasheh që Agjensioni për Mbrojtjen nga Rrezatimi i Kosovës, i cili do të krijohet në bazë të këtij ligji, të jetë në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërkaq që ngritja dhe kompletimi i tij do të marrë kohë.

Në vijim, Komisioni ka përkrahur edhe këto projektligje, së bashku me amendamente dhe raportet e komisioneve funksionale: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pyjet e Kosovës, Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Duhanin nr. 02/L-36, Projektligjin për Turizëm dhe Shërbime Turistike.

Anëtarët e Komisionit kanë vlerësuar se Projektligji nr. 03/326/L160 dt. 12.6.2009 për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, me raportin e komisionit funksional, nuk ka implikime buxhetore, ndaj e kanë përkrahur atë, me disa ndryshime në kufirin minimal dhe maksimal të gjobave. Në fund, është përkrahur edhe Projektligji nr. 2447/L-164 dt. 30.06.2009 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit, me raportin e komisionit funksional, me përjashtim të Amendamentit të 13-të.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa