Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 20.01.2010




Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, i drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar sot Raportin e punës së Komisionit për vitin 2009, duke vlerësuar atë të suksesshme dhe konform rolit kushtetues që ka. Komisioni ka shqyrtuar dhe amendamentuar projektligjet, nga fushëveprimi i tij si komision funksional dhe ka luajtur me sukses rolin e kontrollit parlamentar ndaj sektorit që e mbulon. Në raport theksohet roli i Komisionit në themelimin e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe të rrjetit diplomatik të Kosovës, në mbikëqyrjene veprimeve të Qeverisë në planin e politikës së jashtme, promovimin e diplomacisë parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe bashkëpunimin me komisionet homologe të parlamenteve të vendeve të tjera.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë pritur delegacione të shumta të komisioneve homologe nga parlamente të vendeve të ndryshme të botës, kanë realizuar vizita të shumta në këto parlamente, si dhe kanë marrë pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Në funksion të realizimit të politikës së jashtme, sa më të suksesshme të vendit tonë, dhe përmbushjes së sfidave në këtë plan që dalin nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovës, komisioni ka pasur takime të shpeshta me zv.kryemiministrin Hajredin Kuçi dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni.

Ndër punët e suksesshme të Komisionit, në funksion të afirmimit të vendit dhe të forcimit të miqësisë me popuj, në raport përmendet hartimi Projektrregullores për formimin e Grupeve të Miqësisë, e cila është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe ka hyrë në fuqi që nga 10 nëntori 2009, si dhe krijimi i shumë grupeve të miqësisë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës me deputetë të parlamenteve të tjera.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit është shqyrtuar në parim Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare. Në funksion të shqyrtimit cilësor, që do t’i shërbente amendamentimit sa më të plotë të tij, po sot është krijuar edhe grupi punues treanëtarësh i Komisionit.

Anëtarët e Komisionit kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme informatë lidhur me organizimin, funksionimin dhe përbërjen kadrovike të misioneve tona diplomatike në botë.
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme