Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

, 21.01.2010




Në funksion të avancimit të punës legjislative dhe agjendës evropiane të Kosovës, sot kryetari i Kuvendi të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka mbajtur një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët ka biseduar për procedimin e projektligjeve nga komisionet parlamentare, Strategjinë Legjislative për vitin 2010, si dhe Planin e Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian.

Krasniqi ka theksuar se 21 projektligje janë në procedurë të shqyrtimit (amendamentimit) në komisione parlamentare, për shumicën e të cilave është tejkaluar afati i paparaparë me Rregulloren e Punës, ndërkohë që 18 projektligje të tjera presin për shqyrtim të parë.

Kreu i Kuvendit ka kërkuar angazhim më të madh të komisioneve parlamentare për përshpejtimin e shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjeve në procedurë, duke vlerësuar se një numër i drejtuesve dhe anëtarëve të komisione, nuk manifestojnë përgjegjësinë e nevojshme. Në këtë vështrim është apostrofuar Komisioni për Interesat e Komuniteteve dhe Kthim dhe ndonjë komision tjetër që ka zvarritur punë.

Kryesuesit e komisioneve (disa prej tyre mungonin në takim) kanë theksuar sukseset, por edhe vështirësitë në punën e komisioneve, ndërkaq, janë zotuar se deri më 29 janar do t’i dorëzojnë planet e punës së tyre, në bazë të të cilëve do të hartohet Projekt Programi i punës se Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili duhet të miratohet në seancë plenare.

Duke shqyrtuar Strategjinë Legjislative të Qeveris së Kosovës për vitin 2010, kryeparlamentari Krasniqi ka vënë në pah se janë paraparë të procedohen në Kuvend 123 projektligje, duke theksuar se Kryesia e Kuvendit, tashmë, ka vendosur që dokumenti t’u shpërndahet të gjithë deputetëve.

Lidhur me Procedimin e Planit të Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian në takim është theksuar se në seancën plenare, të mbajtur me 3 dhjetor 2009, është shqytuar Plani i Veprimit për Integrime Evropiane dhe është kërkuar nga komisionet parlamentare që ta shqyrtojnë Planin e Veprimit dhe vërejtjet eventuale, sugjerimet dhe propozimet t’ia paraqesin Komisionit për Integrime Evropiane, obligim të cilin jo të gjitha komisionet e kanë përmbushur. Andaj kryeparlamentasri Krasniqi ka kërkuar nga komisionet që këtë ta bëjnë sa më parë, në mënyrë që më pas Plani i Veprimit për Integrime Evropiane të procedohet për miratim në Kuvend.

Ai i ka këshilluar komisionet parlamentare që të përfshijnë në agjendën e takimeve tyre të rregullta pikën e rendit të ditës rreth integrimit evropian, si pjesë e planeve të punës për vitin 2010.
Kryeparlamentari Krasniqi takoi kryetarët e komisioneve parlamentare