Lajmet e fundit

Nga Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 25.01.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, zv/kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, para anëtarëve të komisionit, ka prezantuar angazhimet dhe sfidat e dala nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian (KE). Z.Kuçi, po ashtu ka raportuar edhe për bashkëpunimin që do të ketë Agjensioni për Zhvillim dhe Integrim Evropian me Komisionin për Integrime Evropiane.

Ai, fillimisht, theksoi se Qeveria e Kosovës është e fokusuar në tri prioritete kryesore: në rendin dhe ligjin, zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e kritereve dhe sfidave që dalin për integrime në Unionin Evropian. Ai, tha se këto mbeten prioritete kryesore, me të cilat është e ngarkuar Qeveria, sikurse edhe implementimi i reformës së Administratës Publike.

Zv/kryeministri, duke folur për sistemin gjyqësor, tha ndër të tjera se procesi i riemërimiit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të përfundojë shumë shpejt, falë mbështetjes që do ta ketë nga Kuvendi i Kosovës, Presidenti si dhe nga mekanizmat ndërkombëtar.

Politika kundër korrupsionit, po ashtu, sipas Kuçit, mbetet prioritet kryesor për Qeverinë, që në mënyrë urgjente të ndërrmarrë hapa të mëtutjeshëm. “Ne, e kemi mirartuar strategjinë antikorrupsion dhe e kemi propozuar në Kuvend, por tani ka nevojë për një bashkëpunim më të mirë me instititucionet e Kosovës, qytetarët dhe sistemin e drejtësisë”, vlerësoi ai.

Sa i përket vërejtjeve tek Prokurimi Publik, që janë dhënë në Raportin e Progresit, Kuçi sqaroi se Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryetarin e Kuvendit dhe me udhëheqësit e agjencive kryesore të Prokurimit Publik në Kosovë, si dhe më përfaqësuesin e Komisionit Evropian. Kuçi, po ashtu tha se ka nevojë për një reformim të këtij sistemi. Ai tha se nga Qeveria ka një iniciativë të tillë, duke lënë të kuptohet kërkesa për një tranparencë më të madhe.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Kuçi tha: “Ne nuk jemi nga ata që themi se kjo do të ndodhë shpejt, por janë bërë të gjitha përgatitjet që gjatë këtij viti t’i kryejmë obligimet tona që dalin nga Raporti i Progresit. Më 27 janar të këtij viti do të kemi një takim me përfaqësues të KE-së, ku do t’i definojmë qartë tabelat e angazhimeve tona, detyrave, si dhe të institucioneve përgjegjëse.

Sa i përket pasaportave biometrike, Kuçi sqaroi se këtë vit do të lëshohen këto lloj pasaportash. Ndërsa, duke folur për të drejtat e komuniteteve, ai tha se edhe në këtë pikë ka përmirësime të dukshme, porse ekziston mundësia të punohet edhe më shumë në këtë drejtim.

Zv/kryemnistri Kuçi, përveç prioriteteve tjera, përmendi edhe luftimin e ekonomisë joformale. “E kemi themeluar një grup ndërministror në kuadër të Zyrës së kryemnistrit, për luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë dhe kemi një plan të veprimit në baza mujore, por këtu duhet të kemi edhe aktivitete tjera shtesë”, tha Kuçi.

Ndërsa, sa i përket rishikimit të planit të veprimit, Kuçi tha se në këtë aspekt janë të përfshira 250 institucione të Kosovës dhe 500 ekspertë, për t’i inkorporuar sfidat që kanë dalë nga Raporti i Propgresit, gjë e cila, sipas tij, duhet të përfundojë deri në muajin prill.

“Ne jemi optimist që 80 për qind e kërkesave që kanë dal nga Raporti i Progresit t’i realizojmë brenda këtij viti, bashkarisht me institucionet tjera”, tha ai.

Deputetët-anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane shpalosën disa vërejtje rreth punës së Qeverisë, duke përmendur mes tjerash ngecjet në sistemin e drejtësisë, liberalizimin e vizave, lobimin në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovës si shtet, krimin e organizuar, korrupsionin etj.

Ndërsa z. Kuçi tha se njohja e pesë shteteve evropiane do ta ndihmonte Kosovën në rrugën e saj për në BE. “Dhe, kjo do të behët sigurisht pas një vendimi që do ta marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha ai.

Zv/kryemnistri Kuçi gjatë mbledhjes së sotme të këtij komisioni, iu është përgjegjur edhe pyetjeve të shumta të anëtarëve të komisionit. Ata kërkuan sqarime rreth formimit të Ministrisë për Integrime Evropiane, duke kërkuar njëherazi që të informohen se kur pritet të fillojë së fuknsionuari kjo ministri. “Është kristalizuar ideja që të themelohet Ministria për Integrime Evropiane, dhe koha e themelimit të kësaj ministrie, nuk do të jetë shumë e largët”, tha Kuçi.

Ndryshe, kryetarja e këtij komisionit, Zylfije Hundozi, ka sqaruar se eksperti ndërkombëtar, Sotiraq Guga, ka përpiluar një projekt, përmes së cilit është bërë projekti i binjakëzimit, me ç‘rast është përfshirë edhe Parlamenti i Kosovës, gjegjësisht Komisioni për Integrime Evropiane dhe Qeveria. Hundozi, sqaroi se eksperti në fjalë ka hartuar një memorandium të tillë, i cili obligon Agjencinë që të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me Komisionin për Integrime Evropiane. “Besoj se do ta përpunojmë bashkarisht këtë draft, meqë ky është konkretizim i bashkëpunimit tone, gjë e cila deri më tani nuk ka ekzistuar”, tha Hundozi.

Gjatë kësaj mbledhje, po ashtu u bë edhe shqyrtimi i Raportit të punës së Komisionit për vitin 2009.

Pikë tjetër e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane ishte edhe shqyrtimi i projektligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, me amendamentet e Komisionit funksional, në aspektin e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Ky projektligj u vendos që të procedohet në Kuvend.

Krejtësisht në fund u bë edhe shqyrtimi i projektligjit nr.03/2447/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit me amendamentet e Komisionit funksional, në aspektin e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Nga Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane