Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

, 26.01.2010




Kryetari i Këshillit Kordinues i Asociacioneve të Familjeve të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK),z.Haki Kosumi u prit nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kryetari i komisionit Ismet Beqiri, pasi falënderoi Kosumin për punën e palodhshme theksoi se, fati i të pagjeturve mbetet shumë shqetësues deri në zbardhjen e tyre. Sikurse deri më tani, edhe në të ardhmen komisioni do të angazhohet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, duke punuar në sensibilizimin e kësaj çështje në të gjitha nivelet, theksoi Beqiri.

Kryetari i KKAFZHK-së, prezantoi para komisionit projektin e këtij asociacioni, i cili ka për qëllim” ndërgjegjësimin e familjeve për dhënjen e pëlqimit për zhvarrosjen e trupave të të afërmëve të tyre që ishin viktima të luftës së Kosovës, si dhe për dhënien e mostrave të gjakut për të mundësuar aplikimin e metodës ADN.” Komisioni përkrahu projektin, por me që realizimi i tij kërkon një kosto të konsiderueshme mjetesh sugjeroi që një kërkesë e tillë ti bëhet edhe Qeveris së Kosovës dhe Ministrisë së Mirëqenjes Sociale.

Në vazhdim komisioni shqyrtoi edhe peticionin e 15 nënshkruesve të fshatit Orqushe të KKDragash, të cilët kundërshtojnë vërejtjen e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Nënshkruesit e peticionit theksojnë se kanë fakte të mjaftueshme për të argumentuar se nuk i kanë borxh KEK- ut, por fjala është për faturat e RTK-së, të cilat nuk janë paguar që prej gjashtë vitesh, dhe ngarkohen në emër të rrymës së harxhuar. Në lidhje me këtë komisioni u rekomandoi nënshkruesve të peticionit, që ti drejtohen Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike të KEK-ut, dhe pasi të shterë procedurat ligjore, mund të shfrytëzohet mbrojtje me padi në gjykatën kompetente.

Komisioni miratoi planin e punës për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...