Lajmet e fundit

Nga seanca e Kuvendit të Kosovës

, 28.01.2010




Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën sot, seancën e parë plenare për këtë vit të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit. Seanca vazhdoi punën duke vënë në rend dite edhe Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe të Komisionit për Administratë Publike dhe Media, që ka të bëjnë me financimin e RTK-së, si dhe propozim vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit për Miniera dhe Minerale. Në vazhdim deputetët shtruan pyetje parlamentare në adresë të ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilave iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrat: Enver Hoxhaj , Nenad Rashiq, Alush Gashi dhe Skënder Hyseni. Pyetjeve parlamentare të deputetëve iu përgjigj edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Interesimit të deputetit Shkumbin Demalijaj për strukturat paralele serbe, kryeministri Thaçi iu përgjigj duke thënë se ka ndryshime radikale në zbehjen e këtyre strukturave.

Seanca vazhdoi punën duke bërë shqyrtimin e parë të pesë projektligjeve, duke filluar me atë të Kryqit të Kuq të Kosovës. Përkitazi me këtë , ministri Alush Gashi theksoi nevojën e miratimit të Projektligjit, që rregullon veprimtarinë e kësaj organizate humanitare. Pas debatit deputetët miratuan këtë projektligj.

Po ashtu deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për përdorimin dhe mbrojtjen e emblemës së Kryqit të Kuq, emblemave dhe sinjaleve tjera dalluese, të cilin gjithashtu e prezantoi ministri i Shëndetësisë Alush Gashi. Në vazhdim u miratuan në parim edhe këto projektligje: Projektligjin për produktet dhe pajisjet medicinave, Projektligjin për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, Projektligjin për inspektoratin e tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese, të cilat përkatësisht i prezantuan: Alush Gashi, Skënder Hyseni dhe Lutfi Zharku.

Duke shqyrtuar Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe të Komisionit për Administratë Publike dhe Media, për financim të përkohshëm të RTK-së, në seancë u miratua buxheti i përkohshëm për këtë institucion në vlerë prej 5 milionë e 264 mijë euro, për periudhën prej një janar e deri më 30 qershor të këtij viti. Po ashtu në seancë u miratua propozimi i Qeverisë që ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të Bordit për Miniera dhe Minerale. Anëtarë të këtij Bordi me mandat katër vjeçar u emëruan: Ahmet Tmava, Xhevdet Kastrati, Ibush Jonuzi dhe Shaip Latifi.

Seanca e Kuvendit vazhdon punimet nesër, duke filluar nga ora dhjetë.
Nga seanca e Kuvendit të Kosovës