Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 29.01.2010




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, janë shqyrtuar pesë projektligje.

Gjatë kësaj seance është bërë shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. Këtë projektligj, e ka prezantuar zv/kryeministri Ramë Manaj, me ç‘rast projektligjin në fjalë ai e ka cilësuar të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për vendin, i cili parasheh avancimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Projektligji në fjalë është përgatitur nga zyra e kryeministrit. Zv/kryeministri Manaj, vlerësoi se qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja nga dhuna në familje me anë të mostrave të posaçme ligjore, krijimi i mekanizmave adekuat për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave. Projektligji, ka për qëllim lehtësimin dhe zbutjen e pasojave të kësaj dukurie, tha më këtë rast Manaj, duke sqaruar se me miratimin e këtij projektligji, pushon së zbatuari rregullorja e UNMIK-ut, 2003/12.

Deputetët, në diskutimet e tyre, para se të përkrahin parimisht këtë projektligj, kanë dhënë disa vërejtje, veçanërisht në përkthim dhe drejtshkrim. Ndërsa, ata kërkuan që gjatë leximit të dytë të plotësohet ky projektligj, si dhe t’i kushtohet kujdes formulimit të ligjit, meqë duhet kushtuar kujdes, jo vetëm dënimit, por edhe parandalimit të dhunës në familje. Deputetët, theksuan se dhuna në familje është evidente në shoqërinë kosovare, dhe se ky projektligj synon që të parandalojë dhe minimizojë dhunën në familje, si dhe të garantojë mbrojtje ligjore për të gjithë anëtarët e familjes, që janë viktima të dhunës.

Projektligji është miratuar në parim nga Kuvendi (me 65 vota për dhe 1 abstenim), i cili ka ngarkuar komisionet përkatëse që brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë, ta paraqesin raportin me rekomandime.

Gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për energjinë, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, gjatë prezantimit të saj për projektligjiin në fjalë theksoi se projektligji për energji, është i një rëndësie të veçantë, sepse mbështetë zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit. “Mangësitë e evidentuara të ligjit që është aktualisht në fuqi, kanë bërë që të kemi shumë hezitime në vendimmarrje, prandaj konsiderojmë që ligji i cili është në fuqi të zëvendësohet me ligjin më cilësor të sektorit të energjisë”, tha Pula-Shiroka, duke sqaruar tutje se për hartimin e këtij projektligji, përveç institucioneve të Kosovës, janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë, dhe se është në harmoni të plotë me direktivat evropiane.

Projektligji për energji ka ngjallur debate të shumta nga deputetët opozitar, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe vërejtje në këtë projektligj. Madje, deputetë të AAK-së kanë kërkuar që Projektligji për energji t’i rikthehet Qeverisë së vendit.

Projektligji për energji u miratua në parim nga Kuvendi (me 37 vota për, 21 kundër dhe 1 abstenim), ndërsa komisionet përkatëse brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë, duhet ta paraqesin raportin me rekomandime, në Kuvend.

Edhe Projektligji për rregullatorin e energjisë, (prezantuar sërish nga ministrja e MEM-it, Justina Pula-Shiroka), është miratuar në Kuvend (me 35 vota për dhe 30 kundër).

Në vazhdim të seancës së sotme, gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për energjinë elektrike, të cilin po ashtu e prezantoi ministrja e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, Projektligji për energjinë elektrike nuk u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Tutje, në seancën e sotme u shqyrtua edhe Projektligji për mjekësinë ligjore, prezantimin e së cilit projektligji e bëri ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Ajo, fillimisht sqaroi se këtë projektligj e kanë hartuar ekspertë të MD-së, si dhe ekspertë ndërkombëtar. Me këtë projektligj kompletohet infrastruktura ligjore në fushën e mjekësisë ligjore, si dhe krijohet baza ligjore edhe për zhvarrosjen e kufomave. Qëllimi i këtij projektligji është që nëpërmjet ekzaminimeve mjeko-ligjore të ofrohen dëshmi për t’u përdorur për hetuesi, si dhe në proceset gjyqësore, theksoi Kelmendi, duke sqaruar tutje se ky projektligj ndihmon edhe në shtimin dhe efikastitetin e prokurorive dhe gjyqësorit, për zbulimin e veprave penale, tha Kelmendi.

Ky projektligj është i kushtueshëm dhe zbatimi i tij kushton 290 mijë e 240 euro. “Projektligji, është miratuar në qeveri më 4 dhjetor të vitit 2009, dhe nuk është paraparë në buxhetin e Kosovës. Meqë është në interes të përgjithshëm të vendit, veçanërisht për persona të pagjetur, tek të cilët nevojitet edhe zhvarrosja, e cila është e rregulluar me këtë ligj, mjetet financiare për zbatimin e këtij ligji janë premtuar nga qeveria, gjatë rishikimit të buxhetit, tha ministrja Kelmendi.

Projektligji për mjekësinë ligjore, u përkrah nga shumica e deputetëve të Kuvendit, sipas së cilëve projektligji është cilësor dhe i përpiluar mirë. Megjithatë, nuk munguan as vërejtjet nga ana e deputetëve, të cilët kërkuan që të bëhen disa plotësime, si dhe kërkuan disa sqarime nga ministrja Kelmendi.

Projektligji për mjekësinë ligjore, u miratua në Kuvendin e Kosovës, (me 61 vota për dhe 1 abstenim).

Krejtësisht në fund të seancës së sotme, u shqyrtua Rekomandimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës.

Në bazë të konkursit të shpallur, komisioni ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve, dhe Kuvendit iu rekomanduan këta kandidatë: Naim Abazi dhe Ali Dragusha.

Me shumicë votash të deputetëve, anëtar i KPMK-së, me mandat pesëvjeçar, është përzgjedhur kandidati Naim Abazi.
Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës