Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 01.02.2010




Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Bahri Hyseni, kryetar, ka shqyrtuar raportet e komisioneve kryesore lidhur me Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtareve të Lartë Publikë. U konstatua se komisionet kryesore kanë vlerësuar se ky projektligj mund të procedohet për shqyrtim të mëtutjeshëm, prandaj u vendos që të procedohet për seancë plenare. Sa i përket Projektligjit për Mjekësinë Ligjore, u vendos që të formohet grupi punues për shqyrtimin e tij, i cili do t’i raportojë Komisionit.

Pas diskutimeve të gjera rreth përfundimit te Kryesisë se Kuvendit lidhur me rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, që ka të bëjë me fushëveprimin dhe rregulloren e brendshme te punës se këtij komisioni, u vlerësua se është e nevojshme që paraprakisht me të të merret Komisioni për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit.

Në fund, Komisioni konstatoi bazën ligjore në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të këtyre Projektligjeve: Projektligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, Projektligjit për Përdorimin dhe Mbrojtjen e Emblemës së Kryqit të Kuq, Emblemave të Tjera Dalluese dhe Sinjaleve, Projektligjit për Produktet dhe Pajisjet Medicinale, Projektligjit për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare, Projektligjit për Inspektoratin e Tregut dhe Mbikëqyrjen Inspektuese, Projektligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Projektligjit për Energjinë dhe atij për Rregullatorin e Energjisë.
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi