Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

, 05.02.2010




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i kryesuar nga zëvendëskryesuesja e parë , zonja Rita Hajzeraj, sot mbajti mbledhje ku temë kryesore e debatit ishte shqyrtimi i kërkesës së punëtorëve shëndetësorë për rritjen e të ardhurave personale, miratimi i Projektligjit të punës dhe atij për sigurimin shëndetësor.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Alush Gashi, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Nenad Rashiç, përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe të Sindikatës së Pavarur të QKUK-së, si dhe përfaqësuesit e ICO-së, OSBE-së, UNDP-së, NDI-së dhe KDI-së.

Në fillim të kësaj mbledhjeje, përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave she Sindikatës së Pavarur, theksuan punëtorët shëndetësorë të Kosovës kërkojnë rritjen e të ardhurave personale, ashtu siç u është premtuar nga Qeveria e Kosovës qysh gjatë vitit të kalaur. Krahas kësaj, kërkojnë që, Kuvendi i republikës së Kosovës, sa më parë të miratojë Ligjin e punës dhe Ligjin për sigurimin shëndetësor, për të rregulluar statusin e punëtorëve shëndetësorë në tërë hapësirën e Kosovës. Njëherit, dëshirojnë që, në afatin sa më të shkurtër, të rregullohet edhe statusi i QKUK-së, si dhe statusi i punëtorëve shëndetësorë, d.m.th. që prej stafit civil të transferohen në stafin profesional.

Duke e marrë fjalën, ministri Gashi theksoi se Ligji për sigurimin shëndetësor është në procedurë dhe se pritet që në afatin sa më të shkurtër ky Ligj të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në vazhdim ministri Gashi duke përmendur se Ministria e Shëndetësisë e ka planin për kapërcimin e gjendjes së rëndë në shëndetësinë e Kosovës, tha se mjekët specialistë, në janar 2008, në emër të të ardhurave personale kanë marrë gjithsej 273€, se të njëjtit mjekë specializantë në janar 2009 kanë marrë 301 € , kurse në këtë janar kanë marrë 390 €. Njëherit, kjo Ministri bënë përpjekje që me Ligjin e ri të punës, punëtorët shëndetësorë të mos jenë në kategorinë e stafit civil, por të njëjtit të sistemohen në kategorinë e stafit profesional.

Në vazhdim, duke e marrë fjalën ministri i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, z. Nenad Rashiç, theksoi se kjo Ministri e ka përfunduar Pr/ligjin për punë dhe para një kohe ia ka dorëzuar Ministrisë për Ekonomi e Financa që, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, të shohin se cilat janë implikimet buxhetore në lidhje me këtë Pr/ligj. Pëveç tjerash ai theksoi se pr/ligji i përmendur më parë do të dërgohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës kah fundi i marsit apo fillimi i prillit të viti vijues.
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale