Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor

, 09.02.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, të kryesuar nga Naser Rugova, kryetar, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Idriz Vehapi, dhe ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, kanë njoftuar rreth sfidave që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, të cilat i përkasin fushëveprimtarisë së këtyre dy ministrive, dhe strategjive legjislative të tyre për vitin 2010.

Ministri i Mjedisit, Yagcilar, duke folur për sfidat që dalin nga Raporti i Progresit, tha se ato janë në përmbushje e sipër, dhe se ministria që ai udhëheq do t’i respektojnë afatet e përcaktuara kohore. Sa i përket strategjisë legjislative për vitin 2010, ai tha se ajo përfshin 11 ligje. Ndër të tjera, ministri i MMPH-së theksoi se është bërë plani për identifikimin e vendbanimeve joformale.

Ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi, theksoi se ministria që ai udhëheq e ka vlerësuar si korrekt Raportin e Progresit për Bujqësinë dhe Peshkatarinë. Sipas tij, krahas progresit të arritur, nga ky raport janë identifikuar edhe sfidat të cilat përkojnë më prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme të Ministrisë, si dhe me obligimet e dala nga dokumenti strategjik i Qeverisë. Ministri Vehapi tha se Ligji për Bujqësinë Organike duhet të amandamentohet në pajtim me ndryshimet e bëra në Rregulloret e BE-së për bujqësinë organike. Gjithashtu, ai tha se Ligji për Pyjet duhet të rishikohet në mënyrë që të forcohen masat mbrojtëse kundër dëmtimit dhe prerjeve ilegale të pyjeve dhe shkeljeve të lejeve për prerje.

Në strategjinë legjislative për vitin 2010, MBPZHR ka propozuar nëntë projektligje, tri prej të cilave i adreson sfidave të dala nga Raporti i Progresit.

Në emër të Komisionit, Naser Rugova, i konfirmoi mbështetjen e plotë Ministrisë së Bujqësisë, në punën e saj, bërjen e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me kriteret e BE-së.

Në vijim të mbledhjes, Komisioni përkrahu vërejtjet e Komisionit për Buxhet dhe Financa që kanë të bëjnë me Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe atë për Financimin e Programeve të Banimit.

Anëtarët e Komisionit u njoftuan me vizitën që një delegacion i Komisionit për Bujqësi i Parlamentit të Maqedonisë do t’i bëjë Kuvendit të Kosovës, dhe agjendën takimeve me këtë delegacion.
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor