Lajmet e fundit

Nga Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës

, 10.02.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, temë diskutimi ishte shqyrtimi i Raportit vjetor të Komandantit të FSK-së. Para anëtarëve të komisionit, komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Sylejman Selimi, shpalosi aktivitetet e punës njëvjeçare të FSK-së, duke dhënë një pasqyrë të përgjithshme edhe rreth obligimeve që e presin FSK-në në të ardhmen. Gjeneral-lejtënant Selimi pasi përmbledhi disa nga aktivitetet që ka pasur FSK-ja gjatë vitit të kaluar, potencoi faktin se FSK-ja ka hasur në disa vështirësi rreth paisjeve dhe infrastrukturës. Megjithatë, sipas tij FSK-ja i ka arritë qëllimet e veta që i ka pasur brenda një viti. “Kemi mungesë të paisjeve, por besoj se edhe në të ardhmen do të gjejmë përkrahje nga institucionet e Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritë një rezultat të jashtëzakonshëm dhe ka arritë të kalojë disa teste”, tha Selimi.

Si njërin ndër sukseset që ka pasur FSK-ja, ai përmendi edhe zbarkimin e parë që ka pasur në Shqipëri, gjatë vërshimeve që ndodhën në këtë vend, i cili zbarkim u vlerësua pozitivisht nga NATO dhe KFOR-i.

Kryetari i këtij komisioni, Berim Ramosaj, vlerësoi se raporti në fjalë është korrekt dhe përmbajtësor, duke shtuar se edhe komisioni, të cilin e udhëheq ai, do të jap kontribut të madh në aspektin e organizimit strukturor.

Pas, prezantimit të Raportit vjetor të komandantit të FSK-së, nga ana e gjeneral-lejtënant Sylejman Selimi, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime të mëtutjeshme në disa çështje që janë të përfshira në raport, si dhe rreth planeve përgjatë vitit 2010 që e presin FSK-në.

Krejtësisht në fund të takimit, anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë, kanë aprovuar raportin njëvjeçar të Komandantit të FSK-së.
Nga Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës