Lajmet e fundit

Fjalë rasti e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në solemnitetin e 40-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës

, 15.02.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë sot në ceremoninë e 40 - vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës që u mbajt në amfiteatrin e madh të Fakultetit Filologjik të UP-së. Në këtë solemnitet ai mbajti një fjalë rasti para të pranishmëve, në të cilën theksoi:”

I nderuar rektor, zoti Mujë Rugova,
I nderuar president, zoti Fatmir Sejdiu,
Të nderuar pedagogë dhe studentë,
Zonja dhe zotërinj

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Historia e veprimtarisë së Universitetit tonë nuk është e gjatë po të krahasohet me universitetet tjera evropiane, sepse paradoksalisht ai u themelua vonë, por rrallë mund të gjenden shembuj të vështirësive nëpër të cilat ka kaluar ai gjatë jetës së tij. Vetë lindja me aq dhembje dhe vonesë e Universitetit, ishte shprehje e politikës së regjimit të egër pushtues, i cili objektiv historik kishte më shumë se mbajtjen në obskurantizëm mesjetar të popullit tonë arsimdashës.

Shumica prej nesh në këtë sallë, në njëfarë mënyre, jemi bijtë intelektualë të këtij Universiteti, por edhe mbrojtësit e tij nga rrebeshet e pareshtura dhe të pamëshirshme.

Historia e Universitetit është e pandashme dhe një me historinë e dyzet vjetëve të fundit të Kosovës. Universiteti i ri dhe i brishtë i Prishtinës së zymtë, nuk ishte thjeshtë vetëm një tempull drite në errësirën e robërisë, por mbi të gjitha një farkëtare e militantëve të paepur të lirisë. Studentët ishin të ndërgjegjshëm për fatin dhe gjendjen e Kosovës, prandaj jetën studentore e lidhnin me këtë fat dhe në shërbim të kauzës së madhe të çlirimit, si dalzotës të atdheut dhe popullit të vet.

Studentët kosovarë nga këto dyer shpërthyen si uragan në rrugë e në sheshe më 1968, më 1981 dhe në vitet vijuese, për të kërkuar të drejtat legjitime të Kosovës dhe të popullit të saj. Lëvizja studentore e vitit 1997 ishte prishje e kodit të paqes me sunduesin dhe preludi i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Regjimi pushtues e mbante vazhdimisht në shënjestër Universitetin tonë, sepse aty e shihte rrezikun, por edhe fundin e vet. I ashtuquajturi diferencim më 1981, filloi pikërisht në Universitet. Beogradi pasi i bënte kualifikimet më të rënda Universitetit, si “çerdhe e nacionalizmit”, “irredentizmit” e “terrorizmit”, sulej mbi të, duke përndjekur pedagogët e studentët, duke ndaluar literaturën dhe financimin, duke imponuar programet mësimore dhe duke mbyllur dyert e objekteve të tij, të ngritura me djersën e punonjësve kosovarë. Por Universiteti ynë mbijetoi, sepse i përkiste së ardhmes, kurse regjimi së kaluarës.

Universiteti i Prishtinës tash dhjetë vjet vepron i lirë dhe plot dy vjet në Kosovën e pavarur. Vendi ynë ka ndryshuar shume dhe bashkë me të edhe Universiteti. Ai është në proces të reformimit të suksesshëm, për t’u bërë një institucion i lartë modern arsimor, i nivelit evropian. Ky qëllim përbën prioritetin e lartë të institucioneve tona, sepse Kosova ia ka borxh Universitetin e ri rinisë së mrekullueshme të saj.

Duke ju uruar gëzuar festën e madhe të dritës së diturisë, dyzetvjetorin e Universitetit, ju dëshiroj sukses në misionin e shenjtë të edukimit të brezit tonë të ri!”, përgëzoi kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi.
Fjalë rasti e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në solemnitetin e  40-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës