Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit Krasniqi me rastin e Dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës

, 17.02.2010




I nderuar president, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
I nderuar kryesues i ICO, zoti Pitër Feit,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar qytetarë e bashkëkombës kudo që jeni,
Zonja dhe zotërinj

Sot na bashkon Dyvjetori i Pavarësisë së Kosovës. Dy vite janë pak për historinë, por kthesa që ka bërë Kosova gjatë dhjetë vjetëve të lirisë dhe dy viteve të pavarësisë është e madhe dhe historike. Kosova e popullit prej më të vjetërve të Evropës, ishte e humbur dhe e harruar dikur në hartën e zhubravitur të Ballkanit të konflikteve të përgjakshme. U deshën përpjekje e sakrifica të shumë brezave për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovran, të njohur e të respektuar në katër anët e botës.

Në dy vitet e shtetndërtimit Kosova i ka ngritur të gjitha institucionet kushtetuese e demokratike të shtetit, e ka stabilizuar shoqërinë shumetnike dhe është bërë faktor paqeje në rajon.

Në këtë sallë gjatë dy legjislaturave të kaluara janë miratuar mbi 160 ligje, ndërsa vetëm gjatë këtyre dy viteve janë miratuar mbi 140 ligje, të cilat rregullojnë shtetësinë e Kosovës, përcaktojnë standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, mundësojnë zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe hapin perspektivën integruese në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera euroatlantike.

Kosova tashmë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e Bankës Botërore, pjesëmarrëse në organizma, forume e iniciativa rajonale e ndërkombëtare dhe në rrugë të mirë për të hyrë në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.

Pas mbrojtjes së shkëlqyer të së drejtës dhe legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas shpalljes së mendimit të saj këshillëdhënës, presim që shpejt të shtohet numri i vendeve anëtare të OKB që do ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Pavarësia ishte një nga parakushtet e domosdoshme të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Kosova ka potenciale të shumta zhvillimi e përparimi, por nuk i mungon as mbështetja e solidariteti ndërkombëtar. Prezenca ndërkombëtare, civile dhe ajo e sigurisë, angazhimi i miqve tanë të shumtë për forcimin e vendit tonë dhe Konferenca e donatorëve e vitit 2008, e konfirmojnë përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj.

Zhvillimi ekonomik ka shënuar rritje vjetore në rreth 4%, që në këtë kohë krize globale, për Republikën e Kosovës është shumë domethënëse. Janë krijuar kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, siç janë siguria e stabiliteti politik, infrastruktura ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore, sigurimi i një mjedisi të qëndrueshëm biznesi, të cilat bashkë me pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, do të tërheqin investime të huaja dhe do të mundësojnë zhvillim të shpejtë. Viti 2010 do të shënojë kthesë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Por me gjithë trendin pozitiv, ekonomia jonë ende ndodhet në fazat e para të zhvillimit të saj. Ekonomia e Kosovës aktualisht karakterizohet me një normë të lartë të papunësisë, është kryesisht ekonomi konsumuese me nivel të lartë të importeve dhe nivel të ulët të eksporteve. Për shkaqet e së kaluarës do të duhen edhe shumë përpjekje për të tejkaluar prapambetjen e Kosovës, varfërinë dhe papunësinë e lartë.

Në nëntorin e kaluar, Kosova mbajti zgjedhjet e para pas pavarësisë, të organizuara për herë të parë nga institucionet e vendit, të cilat u vlerësuan lart nga vëzhguesit dhe institucionet relevante ndërkombëtare. Pjesëmarrja e shtuar e komuniteteve pakicë dhe sidomos e komunitetit serb në këto zgjedhje, është tregues i qartë i realitetit të ri integrues në Kosovë. Kushdo mund të shohë vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për integrim dhe bashkëjetesë, por është ndërhyrja obstruktive dhe ndikimi agresiv i Beogradit që e vështirësojnë këtë proces të interesit tonë të përbashkët.

Republika e Kosovës, më mirë se çdo vend tjetër i rajonit aplikon politikën e të drejtave të avancuara për komunitetet pakicë, të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor, të cilën do të dëshironim ta shihnim edhe te fqinjët tanë.

Në vijim të përpjekjeve tona për konsolidimin e sistemit institucional dhe për vendosjen e rendit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ICO dhe Qeveria kanë hartuar Qasjen Gjithëpërfshirëse të veprimeve në veri të Kosovës, e cila është mbështetur gjerësisht nga politika e institucionet tona, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ka ardhur koha që në atë pjesë të Kosovës të fillojnë procese të reja integruese dhe prosperuese për të mirën e qytetarëve tanë atje, si në gjithë vendit tonë. Ne e ftojmë Republikën e Serbisë, të mbajë qëndrim konstruktiv ndaj kësaj strategjie qëllimmire, t’i kontribuojë marrëdhënieve tona të mira e integruese evropiane, proceseve paqësore dhe dialogut pragmatik për çështjet e interesit të përbashkët. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe integriteti i saj i garantuar ndërkombëtarisht, është i pacenueshëm. Komuniteti serb në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Serbi, duhet të na shërbejnë si ura të komunikimit e të bashkëpunimit reciprok.

Ashtu siç u vlerësua para sa ditësh edhe nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues, zbatimi i Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës ka përparuar shumë, sepse institucionet tona kanë qenë përgjegjëse për zotimet e marra para bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve. Tashti që kemi një bazë solide të integrimit të brendshëm, ne do të vazhdojmë këtë proces deri në fund për të lehtësuar funksionalizimin e plotë institucional dhe integrimet euroatlantike.

Zonja dhe zotërinj

Ne qytetarët e Kosovës, pa dallim, kemi armikun e përbashkët të quajtur varfëri dhe interesin e lartë për një jetë më të mirë, më të sigurt e më të dinjitetshme. Vlera e pavarësisë së Kosovës matet në radhë të parë me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve. Por ne duhet ta ndërtojmë bashkë dhe me duart tona të ardhmen tonë.

Vendi ynë ndodhet në sfida të vazhdueshme si ajo e njohjes së gjerë ndërkombëtare të pavarësisë, e anëtarësimit në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare, e reformave demokratike, e përmbylljes së kornizës ligjore, e sundimit të ligjit dhe e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e luftës kundër varfërisë dhe papunësisë, e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, e procesit të privatizimit, e decentralizimit të plotë dhe e përkrahjes politike e financiare komunave të reja, e integrimit të veriut dhe të gjithë serbëve në shoqërinë e Kosovës, e zbatimit të rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, e përmbushjes së kritereve të liberalizimit të vizave dhe të integrimit evropian, e Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit, e përmirësimit të kapaciteteve administrative, e bashkëpunimit rajonal etj.

Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe sovranitetin, prandaj duhet jetësuar plotësisht dhe në gjithë hapësirën e saj. Ne e miratuam Kushtetutën dhe ligjet, të cilat duhet respektuar e zbatuar rigorozisht, sepse duam shtet ligjor dhe demokratik. Ne i bëmë institucionet, të cilat duhet forcuar e funksionalizuar, që të gëzojnë besimin dhe respektin e vazhdueshëm të qytetarëve, i bëmë strategjitë për fusha të ndryshme, të cilat duhet t’i vëmë në jetë. Ne jemi përcaktuar qartë dhe fuqishëm për integrimet euroatlantike, prandaj të gjithë, shqiptarët shumicë, komunitetet pakicë, qytetarët dhe institucionet, shoqëria civile dhe mediet, çdo ditë duhet t’i shtyjmë përpara këto procese.

Në këtë përvjetor të pavarësisë i kujtojmë me pietet të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për liri dhe për Kosovën e re që po e gëzojmë. Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit biblik të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, në Epopenë e Prekazit monumental. Ne u detyrohemi atyre përjetë, por edhe amanetit që na lanë.

Dëshiroj ta mbyll këtë fjalë me mirënjohjen e thellë dhe falënderimin e madh botës demokratike, SHBA, Evropës, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd globit që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.

Zoti i bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!

Zoti i bekoftë miqtë e Republikës së Kosovës!

Faleminderit.