Lajmet e fundit
Mbledhja solemne e Kuvendit në dyvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës
, 17.02.2010
Në shenjë të kremtimit të dyvjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, sot u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi, në të cilën merrnin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryesuesi i ICO-së Pitër Feit, kabineti qeveritar dhe përfaqësues diplomatik. Në fjalën e rastit, kryetari i Kuvendit , Jakup Krasniqi pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi se dy vite janë pak për historinë, por kthesa që ka bërë Kosova gjatë dhjetë vjetëve të lirisë dhe dy viteve të pavarësisë është e madhe dhe historike. Kosova e popullit prej më të vjetërve të Evropës, ishte e humbur dhe e harruar dikur në hartën e zhubravitur të Ballkanit të konflikteve të përgjakshme. U deshën përpjekje e sakrifica të shumë brezave për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovran, të njohur e të respektuar në katër anët e botës.
Në dy vitet e shtetndërtimit Kosova i ka ngritur të gjitha institucionet kushtetuese e demokratike të shtetit, e ka stabilizuar shoqërinë shumetnike dhe është bërë faktor paqeje në rajon.
Pavarësia ishte një nga parakushtet e domosdoshme të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës
Duke radhitur disa nga rezultatet më të shënuara të legjislativit, z. Krasniqi tha se gjatë dy legjislaturave të kaluara janë miratuar mbi 160 ligje, ndërsa vetëm gjatë këtyre dy viteve janë miratuar mbi 140 ligje, të cilat rregullojnë shtetësinë e Kosovës, përcaktojnë standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, mundësojnë zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe hapin perspektivën integruese në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera euroatlantike.
Kosova tashmë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e Bankës Botërore, pjesëmarrëse në organizma, forume e iniciativa rajonale e ndërkombëtare dhe në rrugë të mirë për të hyrë në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.
Pas mbrojtjes së shkëlqyer të së drejtës dhe legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas shpalljes së mendimit të saj këshillëdhënës, presim që shpejt të shtohet numri i vendeve anëtare të OKB që do ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Pavarësia ishte një nga parakushtet e domosdoshme të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Kosova ka potenciale të shumta zhvillimi e përparimi, por nuk i mungon as mbështetja e solidariteti ndërkombëtar. Prezenca ndërkombëtare, civile dhe ajo e sigurisë, angazhimi i miqve tanë të shumtë për forcimin e vendit tonë dhe Konferenca e donatorëve e vitit 2008, e konfirmojnë përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj.
Zhvillimi ekonomik ka shënuar rritje vjetore rreth 4%, që në këtë kohë krize globale, për Republikën e Kosovës është shumë domethënëse. Janë krijuar kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, siç janë siguria e stabiliteti politik, infrastruktura ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore, sigurimi i një mjedisi të qëndrueshëm biznesi, të cilat bashkë me pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, do të tërheqin investime të huaja dhe do të mundësojnë zhvillim të shpejtë. Viti 2010 do të shënojë kthesë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në vijim të përpjekjeve tona për konsolidimin e sistemit institucional dhe për vendosjen e rendit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ICO dhe Qeveria kanë hartuar Qasjen Gjithëpërfshirëse të veprimeve në veri të Kosovës, e cila është mbështetur gjerësisht nga politika e institucionet tona, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ka ardhur koha që në atë pjesë të Kosovës të fillojnë procese të reja integruese dhe prosperuese për të mirën e qytetarëve tanë atje, si në gjithë vendit tonë. Ne e ftojmë Republikën e Serbisë, të mbajë qëndrim konstruktiv ndaj kësaj strategjie qëllimmire, t’i kontribuojë marrëdhënieve tona të mira e integruese evropiane, proceseve paqësore dhe dialogut pragmatik për çështjet e interesit të përbashkët. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe integriteti i saj i garantuar ndërkombëtarisht, është i pacenueshëm. Komuniteti serb në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Serbi, duhet të na shërbejnë si ura të komunikimit e të bashkëpunimit reciprok.
Duke veçuar disa nga detyrat që shtrohen në të ardhmen kryekuvendari Krasniqi tha:” Vendi ynë ndodhet në sfida të vazhdueshme, si: ajo e njohjes së gjerë ndërkombëtare të pavarësisë, e anëtarësimit në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare, e reformave demokratike, e përmbylljes së kornizës ligjore, e sundimit të ligjit dhe e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e luftës kundër varfërisë dhe papunësisë, e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, e procesit të privatizimit, e decentralizimit të plotë dhe e përkrahjes politike e financiare komunave të reja, e integrimit të veriut dhe të gjithë serbëve në shoqërinë e Kosovës, e zbatimit të rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, e përmbushjes së kritereve të liberalizimit të vizave dhe të integrimit evropian, e Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit, e përmirësimit të kapaciteteve administrative, e bashkëpunimit rajonal etj.
Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe sovranitetin, prandaj duhet jetësuar plotësisht dhe në gjithë hapësirën e saj. Ne e miratuam Kushtetutën dhe ligjet, të cilat duhet respektuar e zbatuar rigorozisht, sepse duam shtet ligjor dhe demokratik. Ne i bëmë institucionet, të cilat duhet forcuar e funksionalizuar, që të gëzojnë besimin dhe respektin e vazhdueshëm të qytetarëve, i bëmë strategjitë për fusha të ndryshme, të cilat duhet t’i vëmë në jetë. Ne jemi përcaktuar qartë dhe fuqishëm për integrimet euroatlantike, prandaj të gjithë, shqiptarët shumicë, komunitetet pakicë, qytetarët dhe institucionet, shoqëria civile dhe mediet, çdo ditë duhet t’i shtyjmë përpara këto procese”.
Në këtë përvjetor të pavarësisë, theksoi na vazhdim Jakup Krasniqi, kujtohen me pietet të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për liri dhe për Kosovën e re. “Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit biblik të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, në Epopenë e Prekazit monumental. Ne u detyrohemi atyre përjetë, por edhe amanetit që na lanë”, theksoi kryekuvendari.
Në përmbyllje të fjalës së tij kryekuvendari Krasniqi u shprehu mirënjohje të thellë dhe falënderim të madh botës demokratike, SHBA-së, Evropës, NATO-s dhe gjithë miqve të shtrenjtë të Kosovës anekënd globit, të cilët ndihmuan atë në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.
Pavarësia e Kosovës i ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet rajonit
Në vijim, seancës iu drejtua presidenti i Kosovës , Fatmir Sejdiu, me këto fjalë:” Dy vjet më parë, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës shpallën pavarësinë e Republikës së Kosovës, e cila është rezultat i punës, i sakrificave dhe i flijimeve të gjata të brezave të shumtë të Kosovës, si dhe i ndihmës së madhe të miqve tanë ndërkombëtarë, vendeve të Aleancës Veriatlantike dhe vendeve të tjera anekënd botës.
Sot, kur kremtojmë dyvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë të lirë, ne kujtojmë me mburrje ideatorin dhe arkitektin e Republikës së Kosovës, prijësin tonë historik dr. Ibrahim Rugova, i cili përhapi të vërtetën për Kosovën në të gjitha qendrat e mëdha të botës, në Uashington, në Bruksel, në Londër, në Paris, në Berlin, në Romë, në Ankara e gjetiu.
Filozofia politike e Ibrahim Rugovës, fryma krejtësisht e veçantë e humanizmit dhe paqes që ai predikonte ishin diçka e re për këtë pjesë të Evropës e të botës, në të cilën përherë ka mbisunduar retorika e luftës dhe e urrejtjes. Urtësia dhe largpamësia e tij, në një kohë kur Ballkani Perëndimor po kalonte nëpër kalvare të tragjedive apokaliptike, ndërgjegjësuan botën demokratike për rrezikun që i kërcënohej Kosovës dhe popullit të saj. Kjo filozofi politike dhe lufta çlirimtare e popullit të Kosovës për liri, me shembullin unikat të flijimit të familjes Jashari në Prekaz të Drenicës, bindën botën për drejtësinë e kauzës sonë, e cila u përkrah fuqishëm edhe nga NATO-ja, e cila në pranverën e vitit 1999 nisi fushatën e madhe për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi”, theksoi ai.
Duke folur rreth procesit të njohjes së Kosovës, ai tha se pavarësia e Kosovës është njohur nga 65 vende demokratike anekënd globit. Kosova ka vendosur marrëdhënie bilaterale me shumë vende të botës. Janë hapur 21 ambasada dhe 10 misione konsullore në vendet që kanë njohur dhe mund të thuhet se , për fillim, është arritur të ndërtohet një diplomaci solide, e cila po e përfaqëson me dinjitet vendin në botën e jashtme.
Gjithmonë në bashkërendim të plotë me vendet mike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe me vendet e tjera mike, është punuar që të sigurohen sa më shumë njohje, në mënyrë që Republika e Kosovës të këtë vendin e saj në kuadër të familjes së madhe të kombeve të lira. Për këtë qëllim, është zhvilluar gjatë këtyre viteve një bashkëpunim i pashkëputur me miqtë e Kosovës , është lobuar te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga vendet mike që ta përdorin influencën e tyre për ta mbështetur Kosovën në këtë proces të rëndësishëm.
Gjatë dy vjetëve të funksionimit si shtet i pavarur, është dëshmuar faqe botës se pavarësia e Kosovës i ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet rajonit. Republika e Kosovës, me politikën e saj të fqinjësisë së mirë, jo vetëm që është dëshmuar si një faktor i rëndësishëm i paqes, por edhe ka shërbyer si një katalizator i marrëdhënieve më të mira në mes vendeve të rajonit. Fatmirësisht, politika e fqinjësisë së mirë ka gjetur mirëkuptimin e plotë të vendeve fqinje. Tashmë Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shqipërinë, me Maqedoninë, me Malin e Zi, si dhe me vendet e rajonit, me Kroacinë, me Slloveninë dhe me Bullgarinë. Megjithëse Greqia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, edhe me këtë shtet zhvillohet bashkëpunim intensiv.
Problem i vetëm në raportet me jashtë mbetet Serbia, e cila po e vazhdon politikën e saj agresive kundër Kosovës. Beogradi zyrtar po i financon strukturat paralele serbe, të cilat veprojnë në veri të vendit, ku ende ka shkallë të lartë të kontrabandës dhe të kriminalitetit ekonomik. Qindra-miliona euro janë investuar nga Serbia për mbajtjen e këtyre strukturave, të cilat po e mbajnë peng komunitetin serb në atë pjesë të Kosovës, duke mos i lejuar qytetarët e këtij nacionaliteti të integrohen në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës për të mirën e tyre dhe të mirën tonë të përbashkët. Përkitazi me këtë ai shfaqi besimin se kjo gjendje atje do të marrë fund, ndërsa njerëzit duhet të kenë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, serbët në jug, ndërsa shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët në veri, atu ku kanë jetuar me shekuj.
“Ne e kemi përkrahur strategjinë për veriun të Qeverisë së Kosovës dhe të Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICO), e cila synon të sjellë normalitetin në këtë pjesë të vendit, në të cilën shumë vjet me radhë kanë vepruar të lirë individë e banda që i kanë shumë borxhe drejtësisë për krimet e kryera gjatë viteve të luftës në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë.
Po ashtu, mbështetje të plotë i kemi dhënë edhe përkushtimit të EULEX-it për ta ndihmuar funksionimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë, një sferë kjo në të cilën na mbetet ende shumë punë për të bërë.
Kosovës i nevojitet një gjyqësor i pavarur, profesional, i ripërtërirë dhe i reformuar. Për ta arritur këtë ky sistem ka nevojë për mbështetje të parazervë të institucioneve të vendit, por edhe të vetë qytetarëve, të cilët nuk duhet të ngurrojnë për të bashkëpunuar me mekanizmat që garantojnë ruajtjen e rendit dhe respektimin e ligjit në shtetin tonë, me Policinë e Kosovës, me gjykatat e me prokuroritë”, tha ai. Ndërkaq, në vijim ai tha se madhështia e një kombi nuk matet me fuqinë e tij, por me mençurinë dhe besimin. “Nëse dimë të udhëhiqemi nga këto virtyte të larta njerëzore, nuk kemi pse të frikësohemi për atdheun që do t’ua lëmë trashëgim brezave tanë të ardhshëm”, pohoi presidenti Sejdiu.
Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Çdo qytetar duhet të ndihet krenar kudo që jeton, në Kosovë dhe diasporë, si qytetar, dhe si familje e si shoqëri.
Populli i Kosovës është krijues i shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës në dyvjetorin e shënimit të Ditës së Pavarësisë është shtet edhe më i konsoliduar, më i zhvilluar me institucionet stabile dhe efektive, me qeverisjen e mirë, sundim të rendit e të ligjit, me respektimin afirmativ të komuniteteve.
Për herë të parë në Kosovën e pavarur u organizuan zgjedhjet lokale ku qytetarët tanë në mënyrë të dinjitetshme dhe shumë krenare zgjodhën udhëheqësit e tyre lokalë. Ishin këto zgjedhje të lira, fer dhe demokratike që u vlerësua lart nga të gjithë.
Republika e Kosovës u bë anëtare me të drejta të barabarta në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa është afër anëtarësimit edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Duke folur për disa aspekte të rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës kryeministri Thaçi tha: “ Me përkushtimin tonë të vazhdueshëm institucional ne krijuam vende të reja pune, me paga më të mira. Ndërkohë, u ndërtuan qindra kilometra rrugë të reja dhe dhjetëra shkolla të reja, bëmë reforma të rëndësishme edhe në politikë, edhe në legjislacion, edhe në ekonomi. Jemi duke vazhduar kështu për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve, duke mundësuar një të ardhme më të mirë, më të sigurt për fëmijët tanë. Në ditët si kjo, duhet të nderohen dëshmorët tanë, ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e vendit tonë, të respektohen heronjtë e gjallë të këtij vendi, veteranët, mësuesit e ditëve më të rënda që na mësuan se si duhet atdheu dhe liria, mjekët që na shëruan plagë, artistët që na pasuruan shpirtin, bujqit që punuan shumë, pensionistët që gjithashtu punuan shumë. Pra, të gjithë, të gjithë kontribuuan në pavarësinë që ne e kemi sot”.
Në vazhdim kryeministri u shprehu falënderime të gjitha shteteve mike, mbështetëse të përpjekjeve për liri dhe pavarësi: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe gjithë mbështetësve në përpjekjet për liri, pavarësi, e në procesin e njohjeve dhe ato integruese. Ndërkaq, duke folur për sfidat e së ardhmes kreu i ekzekutivit tha se ato janë zhvillimi dhe integrimi. Kosova do të integrohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sot po ndërtohet Kosova e përjetshme, Kosova krenare, Kosova e së ardhmes, theksoi kryeministri Thaçi.
....................................................................
Sqarim lidhur me defektin teknik gjatë intonimnit të Himnit
Defekti ndodhi për shkak të të ashtuquajturit "korruptim i fajllit"
Seanca e sotme solemne e Kuvendit të Kosovës filloi me intonimin e Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës, i cili për shkak të një defekti teknik nuk është transmetuar i tëri.
Edhe pse i testuar me kohë (dy herë radhazi), në prani të deputetëve (para fillimit të seancës), ka dështuar intonimi i Himnit në pjesën zyrtare të seancës.
Ekspertët e Teknologjisë Informative në Kuvend, deklarojnë se defekti ka ndodhur për shkak të të ashuquajturit "korruptim i fajllit" dhe ndërhyrja për ripërseritjen e intonimit të Himnit, do të ishte e pakuptimtë.
Për këtë defekt teknik i kërkohet falje opinionit të gjarë, i cili e ka përcjellë senacën nëpërmjet transmetimit të medieve.