Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 22.02.2010




Subjektet politike në Kosovë shumë shpejt pritet ta kenë ligjin i cili do të përcaktojë financimin dhe kontrollin financiar të tyre. Në vazhdën e punës për hartimin e këtij ligji, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Gani Koci, kryetar, ka mbajtur sot një dëgjim publik, ku ishin të pranishëm ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa, përkundër ftesës, munguan përfaqësuesit e partive kryesore politike.

Kryetari Koci tha se ky dëgjim publik ka për synim bërjen e një ligji sa më të mirë, i cili do të përcaktojë fushën e financimit të partive politike. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, tha se monitorimi burimeve të financimit të subjekteve politike, është thelbësor për këtë ligj. Ai sugjeroi ridefinimin dhe përpunimin e disa neneve të tij, duke u fokusuar në kontrollin financiar të subjekteve politike, dhe rolin që duhet të luaj në këtë drejtim Auditori i Përgjithshëm.

Pikërisht transparenca e financimit të subjekteve politike ishte një nga çështjet kryesore që diskutuesit u fokusuan gjatë diskutimeve të tyre, dhe dhanë vërejtjet e sugjerimet e tyre. Bardhyl Hasanpapaj nga NDI potencoi çështjen e publikimit të raporteve financiare të subjekteve politike, duke vlerësuar se në ligj duhet përcaktuar institucionin ku duhet paraqitur ato raporte, dhe kohën kur duhet të bëhet raportimi, çështje kjo që u shtrua edhe nga përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Naim Ibrahimaj. Në këtë temë diskutoi edhe Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Shqipe Pantina nga Qendra për Politika dhe Avokim, duke folur rreth fondeve që subjektet politike parlamentare do të marrin nga buxheti i Kosovës, shtroi pyetjen se çfarë do të bëhet me subjektet politike që nuk janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por janë të përfaqësuara në asambletë komunale. Ajo vlerësoi se subjekteve politike, fondet u duhet ndarë në bazë të përqindjes së votave të fituara, dhe jo në bazë të numrit të ulëseve në Kuvend. Duke potencuar nevojën e ndryshimeve në projektligj, Merita Mustafa nga KDI, e vlerësoi të nevojshëm kufizimin e donacioneve për subjektet politike gjatë fushatave zgjedhore dhe përcaktimin rreth financimit të atyre që garojnë në koalicion.

Agim Krasniqi, nga Ministria për Ekonomi dhe Financa, njoftoi se ky projektligj është hartuar në qeveri, në konsultime me partnerët, ndërsa si pikë të diskutueshme veçoi atë të financimit të subjekteve politike nga buxheti i Kosovës, përkatësisht përqindjen që do t’u ndahet atyre nga ky buxhet. Krasniqi vlerësoi se shuma duhet të sillet 0.3-0.5 për qind e buxhetit të Kosovës. Në këtë rrafsh diskutimin e tij e shtroi edhe përfaqësuesi i partisë turke KTDP, Fikrim Damga.

Kryetari i Komisionit, Gani Koci, në përmbyllje të këtij dëgjimi publik, theksoi se qëllimi final i këtij projektligji është sigurimi i një mbikëqyrjeje financiare të subjekteve politike, e cila duhet të bëhet nga Auditori Gjeneral. Duke kërkuar që vërejtjet dhe sugjerimet e pjesëmarrësve të jenë konkrete dhe të njëjtat t’i dërgohen komisionit në formë të shkruar, Koci vlerësoi se ICO-ja, OSBE-ja, USAID-i e NDI, i kanë dërguar komentet e tyre në formë të shkruar dhe ligjin e kanë vlerësuar të mirë, por që ka nevojë të plotësohet. Ai tha se ky draft do të jetë baza e ligjit, ndërsa grupi punues i komisionit, duke marrë parasysh edhe sugjerimet e dërguara, do të bëjë amendementimin e tij, në mënyrë që të nxirret një ligj sa më i mirë.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa