Lajmet e fundit

Nga Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 24.02.2010




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga Zylfije Hundozi, kryetare e Komisionit, mori pjesë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili para anëtarëve të këtij komisioni ka folur për sfidat e identifikuara në Raportin e Progresit që i përkasin ministrisë të cilën e udhëheq ai.

Pasi që anëtarët e komisionit radhitën të gjeturat në këtë ministri duke iu referuar raportit në fjalë, ministri Shala gjatë prezantimit të tij ka diskutuar për çështjen e kornizës afatmesme të shpenzimeve, çështjen e planifikimit buxhetor, ekonominë informale, politikat fiskale, deficitin tregtar, dhe shumë çështje të tjera të cilat janë të përfshira në raportin e KE-së. Ministri Shala tha se është arritur progres në të gjitha fushat, mirëpo ka shtuar se akoma mbetet hapësirë për përmirësime.

Z. Ahmet Shala ka përmendur edhe faktin se auditori ka konstatuar shkallë më të lartë të vlerësimit pozitiv në këtë ministri. Ministri Shala i është përgjegjur edhe pyetjeve të deputetëve, anëtarë të komisionit, lidhur me doganat në pjesën veriore të Mitrovicës, arkat e shtetit, problemet me CEFTA-n, kontratat njëburimore, si dhe rreth rënies së investimeve të huaja.

Në vazhdim të kësaj mbledhje është shqyrtuar edhe Projektligji për klasifikimin e informatave dhe verifikimin e sigurisë me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Projektligji u procedua më tutje në Kuvend.
Nga Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane