Lajmet e fundit

Nga punimet e seminarit “Sfidat e miratimit dhe implementimit të acquis communitare”

, 25.02.2010




Komisioni Evropian në bashkëpunim me Komisionin për Integrime Evropian të Kuvendit të Kosovës , nën organizimin e TAIEX-it, kanë mbajtur sot një seminar dy ditor, me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës lidhur me sfidat e miratimit dhe implementimit të acquis communitare.

Qëllimi i seminarit ishte këmbimi i përvojave me shtetet anëtare, që e kanë kaluar këtë rrugë, e të cilën do ta kalojë edhe Kosova deri në anëtarësimin në BE.

Gjatë këtij seminari, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, e Kuvendit të Kosovës, Zylfije Hundozi, fillimisht tha se Kosova po kalon nëpër një sfidë të re dhe të rëndësishme të zhvillimit të saj në kuadër të legjislacionit të BE-së. Për tu bërë pjesë në anëtarësimin evropian, Kosova sipas saj do të miratojë dhe zbatojë në praktikë të gjitha rregullat dhe politikat e legjislacionit evropian. Hundozi shtoi se kjo është një sfidë e rëndësishme, meqë legjislacioni i BE-së është i ndarë në më shumë se 30 sektore. Kjo është një praktikë e përbashkët e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, Qeverinë dhe të gjitha ministritë e linjës, tha Hundozi.

Ne planfikojmë të shfrytëzojmë mundësitë për asistencë të mëtejme nga TAIEX, duke aplikuar për një seminar mbi traktatin e ri të Lisbonës, i cili ka hyrë në fuqi në fund të vitit të kaluar, tha me këtë rast Hundozi. Kuvendi i Kosovës po aplikon për programin e “IPA 2010”, ndërsa objektitvi i këtij projekti do të jetë rritja e kapacitetit administrativ të Kuvendit të Kosovës për përafrimin e legjislacionit të BE-së dhe kontrollin e përputhshmërisë të projektligjeve, sipas kërkesave të BE-së, theksoi Hundozi.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se implementimi i acquis communitare është ndër kriteret më të rëndësishme të vet Komisionit Evropian. Ne kemi ndërrmarrë hapa të domosdoshëm, në bazë të standardeve evropiane që janë në përputhje të plotë me kriterete e parapara nga KE. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova, është rritja e kapaciteteve profesionale, dhe informimi i tyre për proceset integruese. Qeveria në vitin 2010 ka paraparë tri pritoritete të cilat janë: sundimi i ligjit, proceset integruese dhe zhvillimi ekonomik i vendit, prioritete të cilat janë të ndërlidhura me kriteret e Kopenhagës dhe acquis communitare, tha Kuçi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me të gjiitha institucionet e interesuara për zhvillmin e vendin në Union Evropian.

Sfidat në sferën e harmonizimit dhe implememtimit të legjislacionit evropian do të jenë preokupim yni parësor, dhe i bashkëpunimit tonë me institucione të ndryshme evropiane.

Përfaqësuesja e  Komisionit Evropian (nga zyra ligjore), Friederike Bjornsson, duke u bazuar në kriteret e Kopenhagës tha se primare mbetet stabiliteti i vendit, kriteri ekonomik dhe të drejtat e njeriut. KE monitoron gjendjen, dhe standardet evropiane shqyrtohen në thellësi, në mënyrë që legjislacioni i BE-së të bartet në Kosovë. Tutje, ajo potencoi se KE do të vazhdojë t’a mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen.

Ndërsa, këshilltari i zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Alexander Borg Olivier, duke folur për sfidat dhe përfitimet e integrimit në BE theksoi se orientimi i Kosovës është pozicion i qartë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. BE-ja dhe Kosova janë të përkushtuara në këtë drejtim. Pas shpalljes së pavarësisë besojmë se do të vazhdojnë njohjet e reja për ta pranuar Kosovën shtet, tha Olivier. Jam i bindur se këto sfida do të kalohen përmes angazhimeve të institucioneve kosovare. BE-ja nuk dëshiron ta ketë dikë të anëtarësuar në BE, në rast se nuk e respekton acquis communitare, tha Olivier, duke shtuar se miratimi dhe implementimi i acquis communitare është ndër proceset kryesore për integrim në BE dhe se Kosova do të bëjë progres në fushat e acquis communitare.

Megjithatë, Olivier tha se shoqëria civile duhet të punojë më shumë për integrimin e vendit në BE. Kosovës nuk mund t’i ikë kjo mundësi dhe nuk duhet të mbetet prapa. Kërkesat janë të mëdha, por më pas përfitimet janë shumë më të mëdha për Kosovën, tha ai.

Edhe Kristine Drevina, nga Ministria e Drejtësisë në Lituani, gjatë këtij seminari ka folur për burimet e ligjit komunitar, duke dhënë më pas një pasqyrë të qartë dhe udhëzim të përgjithshëm sa i përket këtij ligji, si dhe duke marrë shembuj të ndryshëm nga përvoja e vendeve të tjera.

Seminari lidhur me sfidat e miratimit dhe implementimit të acquis communitare do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme.
Nga punimet e seminarit “Sfidat e miratimit dhe implementimit të acquis communitare”