Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 01.03.2010




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës bashkë me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, përcaktoi rendin e ditës së seancës së Kuvendit, e cila do të mbahet më 11 mars 2010. Pas kohës së pyetjeve parlamentare, në këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë 4 projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-28 për procedurën administrative, Projektligji për Avokatin e Popullit, Projektligji për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-146 për tatimin mbi vlerën e shtuar. Në seancë do të shqyrtohet edhe Propozim – Strategjia e energjisë për periudhën 2009-2018.

Kryesia në mbledhjen e saj përkrahu Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore, ndërkaq përkitazi me kërkesën e Grupit Parlamentar për Integrim për emërimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, nga komuniteti serb, (me rotacion), u tha se për këtë çështje veprohet sipas marrëveshjes së arritur në fillim të punës së Kuvendit të Kosovës.

Kryesia u njoftua se nga Qeveria e Kosovës kishte arritur një material lidhur me Strategjinë për Veriun, ndërsa u vendos që ai t’u shpërndahet deputetëve .
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës