Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti kryetarin e Këshillit Shkencor të Kosovës, Rexhep Ismajlin

, 02.03.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me kryetarin e Këshillit Shkencor të Kosovës, Rexhep Ismajlin, gjatë të cilit u fol për veprimtarinë këtij Këshilli. Pasi u falënderua për këtë pritje, akademik Rexhep Ismajli e njoftoi kryekuvendarin Krasniqi, me detyrat që shtrohen drejt funksionalizimit të Këshillit Shkencor të Kosovës, duke vënë në dukje njëkohësisht edhe disa vështirësi, të cilat po e shoqërojnë këtë Këshill, siç është mungesa e lokalit përkatës, buxhetit, si dhe e stafit teknik. Në këtë vështrim, z. Ismajli kërkoi që këto çështje të gëzojnë një trajtim adekuat dhe të zgjidhen, duke theksuar se ky Këshill është i pavarur dhe i raporton për punën e vet Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast Rexhep Ismajli i dorëzoi kryekuvendarit Krasniqi Draft Programin Kombëtar të Shkencës, në hartimin e të cilit ishin angazhuar 100 veta.

Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi z. Ismajli për këto njoftime, duke theksuar se Këshilli Shkencor i Kosovës në bazë të ligjit do të ketë buxhetin e vet. Përkitazi me këtë u tha se duhet të bisedohet edhe me Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe atë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, për të proceduar me rrugën ligjore që duhet ndjekur për sigurimin e mjete ve financiare. Kjo çështje duhet të shqyrtohet në kuadër të rishikimit të buxhetit.”Jemi të interesuar që ky Këshill të jetë sa më funksional dhe të trajtohet si institucion i pavarur”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Z. Rexhep Ismajli e njoftoi kryekuvendarin Krasniqi edhe për Konferencën Kombëtare të Shkencës, e cila do të mbahet nesër në Prishtinë, në të cilën kreu i legjislativit të vendit do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Kryekuvendari Krasniqi priti kryetarin e Këshillit Shkencor të Kosovës, Rexhep Ismajlin