Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit Krasniqi në dymbëdhjetëvjetorin e Epopesë së UÇK

, 06.03.2010




I nderuar president Sejdiu,
I nderuar kryeministër Thaçi,
E nderuar familje Jashari,
Të nderuar familje të dëshmorëve,
Zonja dhe zotërinj

Për të dymbëdhjetën herë po e shënojmë përvjetorin e rënies së Komandantit tonë, Adem Jashari. Vitet kalojnë e përmasat historike të kësaj figure legjendare të historisë sonë më të re rriten, sepse siç thotë një fjalë, heronjtë, ashtu si veprat e artit, duken më të mëdhenj nga largësia e kohës.

Kujtimi për Heroin tonë legjendar dhe për familjen e tij, të flijuar në altarin e lirisë, nuk do të vdesë kurrë.

Adem Jashari nuk vdes, sepse do të jetojë përjetësisht Kosova, nëna që e lindi, e për të cilën u bë theror.

Adem Jashari nuk vdes, sepse do të jetojë përjetësisht ideali i tij, brez pas brezi. Ideali nuk vritet, por ideali dhe Adem Jashari janë një.

Adem Jashari do të jetojë, sepse është vatra e përjetshme e lumturisë së përsosur e hyjnore e heroit, nga e cila rrezatohet lumturia tokësore e njerëzve të mirë të Kosovës.

Adem Jashari do të jetojë, sepse është banka e vlerave kombëtare, e cila investon në brezat tanë të pambarim, për edukimin e tyre në frymën e trimërisë dhe vetëmohimit, është shkolla e atdhedashurisë tradicionale shqiptare.

Adem Jashari do të jetojë, sepse është vetë liria dhe themeli i Kosovës së re, është kurora e praruar e pavarësisë së saj.

Adem Jashari do të jetojë, sepse ka hyrë në kujtesën e pashlyeshme historike të Kosovës, sepse ai është mishëruesi dhe përfaqësuesi i virtyteve më të larta shqiptare.

Adem Jashari do të jetojë sepse është kapedani i luftës dhe i paqes së Kosovës, e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja jonë.

Adem Jashari do të jetojë sepse ka hyrë në jetën e Kosovës, në qenien tonë shpirtërore, si modeli dhe shembulli i përsosmërisë njerëzore.

Ja përse Adem Jashari na duhet gjithmonë dhe të gjithëve. Ai u duhet politikanëve për të mësuar nga jeta e tij, moralin politik, guximin qytetar, vizionin e qartë, vendosmërinë dhe shpirtin vetëmohues. Adem Jashari kurrë nuk i ka ndarë politikën dhe moralin, prandaj i ka kuptuar aq mirë të dyja, kurrë nuk e ka ndarë luftën dhe paqen, prandaj ishte luftëtar i paqes dhe lirisë së vërtetë, kurrë nuk e ka vënë interesin personal mbi atë të përgjithshëm, prandaj strategjinë e tij jetësore e ndërtonte mbi sakrificën supreme personale, kurrë nuk ishte frikësuar as nga fjalët as nga pushka, prandaj i ka prirë fatit, kurrë nuk është hutuar e ndalur në gjysmë të rrugës, sepse kur ato mungonin, i hapte sigurt shtigjet e lirisë.

Shembulli jetësor i Adem Jasharit i duhet prindit, për të edukuar fëmijën, mësuesit për të formuar personalitetin e nxënësit, ushtarit për t'i shërbyer vendit, artistit e poetit në krijimtari, i duhet çdo qytetari për frymëzim dhe motivim, për krenari dhe vullnet pune e përkushtimi.

Adem Jashari ishte zgjimi i Kosovës në kohët e saj të vështira dhe vendimtare, ai duhet të jetë sot e mot zgjimi i ndjenjave të thella njerëzore, qytetare e patriotike të brezave të sotëm e të nesërm të Kosovës.

Hegeli i mençur ka shkruar: “Nga historia e popujve mësojmë se popujt nga historia nuk kanë mësuar sa duhet”. Duhet të jemi krenarë për Ademin tonë, por akoma më shumë duhet mësuar nga jeta e tij. Tradita e Lëvizjes sonë Kombëtare ka shumë vlera, të cilat duhet kultivuar dhe përcjellë brezave që po vijnë. Adem Jashari është shembulli i shkëlqyer i faktit të njohur që në çaste të vështira lindin njerëz të mëdhenj.

Duke shënuar sot dymbëdhjetëvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rënies së Komandantit Legjendar, Adem Jashari e të familjes së tij, ne qëndrojmë gatitu, si roje nderi në kujtim të lavdisë së tyre dhe krenohemi për lirinë e fituar me gjakun e dëshmorëve, duke u obliguar për ta çuar në vend amanetin që na kanë lënë.

I pavdekshëm qoftë kujtimi për Komandant Adem Jasharin, për Familjen Jashari dhe për gjithë dëshmorët e Kosovës!
Fjala e kryetarit Krasniqi në dymbëdhjetëvjetorin e Epopesë së UÇK