Lajmet e fundit

Nga tryeza me temën “Konservimi i biodiversitetit dhe planifikimi i zhvillimit komunal në Dragash”

, 04.03.2010




Në një tryezë pune të organizuar nga UNDP-ja dhe Kuvendi Komunal i Dragashit, mori pjesë edhe Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, i kryesuar nga Naser Rugova, kryetar i komisionit.

Tryeza u mbajt në fshatin Prevallë (K. K. Prizren) dhe temë e kësaj tryeze ishte “Konservimi i biodiversitetit dhe planifikimi i zhvillimit komunal në Dragash”.

Gjatë tre ditëve sa zgjati tryeza, u bë një përpjekje e suksesshme në favor të komunës së Dragashit, e cila me biodiversitetin që ka, do të ndikojë në zhvillimin e kësaj ane e që do të reflektonte pozitivisht edhe në ekonominë e vendit. Ligjëruesit e tryezës u shprehën për nevojën e hartimit të një plani zhvillimor të komunës, në bazë të të cilit do të fillonin orientimet dhe aktivitetet praktike që do të ndikonin në zhvillimin e kësaj ane. Përpos resurseve bujqësore, të blegtorisë dhe turizmit që posedon kjo komunë, rrethinat e Dragashit kanë edhe shumë specie të ndryshme, (rriten rreth 10 lloje të bimëve aromatike, fruta natyrore, boronica, bimë medicionale), u tha nga referuesit e kësaj tryeze.

Tryezën e përshëndetën edhe anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, të cilët gjatë tre ditëve sa zgjati kjo tryezë, u angazhuan që me diskutimet e tyre të kontribuojnë në mbrojtjen e biodiversitetit të kësaj ane, duke sugjeruar që parkut nacional Mali i Sharrit, t’i shtohet edhe pjesa e kësaj komune, me sipërfaqe prej 2000 ha. Ndërkaq, kryetari komisionit, Naser Rugova, falënderoi UNDP-në për angazhimet e saj për ruajtjen e biodiversitetit, dhe shtoi se ligjet për mbrojtjen e natyrës janë prioritare për komisionin që ai udhëheq. Ai shtoi se Projektligji së shpejti do të arrijnë në Kuvend, dhe nuk do të mungojë angazhimi i komisionit që ai sa më shpejt të shndërrohet në ligj funksional për mbrojtjen e natyrës.

Anëtarët e komisionit, Naim Maloku, Zylfi Merxha, Berat Luzha, Elheme Hetemi, Ali Lajqi, Myrvete Pantina dhe Heset Cakolli kanë dhënë sqarime të ndryshme gjatë tri ditëve, sidomos për Ligjin për Pyje, zbatimin e Ligjit për Mbeturina dhe shumë çështje tjera që kërkonin pjesëmarrësit e kësaj tryeze.

Tryeza përfundoi punimet me konstatimet se: biodiversiteti duhet të mbrohet, të zhvillohen bizneset dhe të fuqizohet ligji për mbrojtjen e natyrës.