Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës merr pjesë në takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

, 10.03.2010




Asambleja Parlamentare e NATO-s do ta mbajë seminarin e saj Rose – Roth (të 73-të) të punimeve, në Jerevan të Armenisë (nga 11-13 mars 2010), në të cilin do të marrin pjesë edhe anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës përfaqësohet nga udhëheqësi i delegacionit z. Xhavit Haliti, si dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës z. Slobodan Petroviq.

Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s marrin pjesë më se 500 delegatë nga shtetet anëtare të NATO-s, Parlamenti Evropian, asambletë interparlamentare, 72 përfaqësues nga institute kërkimore, organizata joqeveritare, organizata ndërkombëtare etj.

Në takim do të debatohet për “Zhvillimet rajonale në Kaukazin e Jugut, sfidat, mundësitë dhe perspektiva“. Do të bisedohet gjithashtu për marrëdhëniet e Armenisë me NATO-në dhe BE-në, çështjet e sigurisë rajonale si: sigurimi i energjisë, Kaukazi Verior, zhvillimet politike dhe shoqëria civile, dhe natyrisht, marrëdhëniet rajonale në rajonin e Kaukazit të Jugut.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës do ta shfrytëzojë mundësinë që ofron ky eveniment i rëndësishëm ndërkombëtar për të njoftuar delegacionet e ndryshme për hapat që ka marrë Kosova për përmbushjen me vendosmëri të angazhimeve të veta, të deklaruara botërisht. Në takimet të veçanta me pjesëmarrësit e takimit do të kërkohet gjithashtu njohja e shtetit të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë.
Kuvendi i Kosovës merr pjesë në takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s