Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti delegacionin e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit

, 10.03.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim delegacionin e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit, në përbërje të të cilit ishin : Valon Mehmeti, Igballe Rugova,Arjeta Rexhaj dhe Nehat Bllacaku. Me këtë rast ata i dorëzuan kryekuvendarit Krasniqi kërkesën për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit të vitit 2007. Kërkesa shoqërohet edhe nga peticioni me 145769 nënshkrime, që konsiderohen legalisht të pranueshme. Këshilli kërkon një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohej për këto ngjarje. Më tutje në këtë kërkesë të Këshillit thuhet:”Duke e konsideruar Kuvendin e Kosovës si tribunën kryesore ku do të duhej të përfaqësoheshin dhe mbroheshin interesat e qytetarëve të Kosovës, (ky Këshill) kërkon që Kryesia e Kuvendit të Kosovës , bazuar në rregullën 23 paragrafi 6 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme , ku do të diskutohej për ngjarjet e 10 shkurtit 2007. Debati parlamentar rreth kësaj çështjeje nuk nënkupton përzierje në punët e gjyqësorit, përkundrazi do të ishte një ndihmë për sistemin e drejtësisë në Kosovë”, theksohet në kërkesë.

Në këtë takim, kryekuvendari Krasniqi, pasi u shprehu mirëseardhje anëtarëve të delegacionit, theksoi se kërkesa e këtij Këshilli do t’ i dorëzohet Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore , për Persona të Pagjetur dhe Peticione dhe do të shikohen të gjitha procedurat rreth çështjes së procedimit të kësaj kërkesë në rendin e ditës së Kuvendit të Kosovës. Anëtarët e Këshillit e falënderuan kreun e legjislativit të vendit për gatishmërinë dhe shpejtësinë për t’ i pranuar në këtë takim.
Kryekuvendari Krasniqi priti delegacionin e Këshillit  Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit