Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport
, 16.03.2010
Shqyrtimi i strategjisë së Planit të Veprimit të Kuvendit për Integrime Evropiane ishte temë qendrore e mbledhjes së Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport, kryesuar nga Drita Kadriu, zëvendëskryesuese e parë e Komisionit. Në mbledhje mori pjesë edhe Zylfije Hundozi, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane. Gjatë debatit u tha se nga Plani i Veprimit të Kuvendit për Integrime Evropiane dalin disa detyra të ngutshme edhe për Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës, sidomos sa i përket mbrojtjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara. Brengos fakti që përfshirja e kësaj kategorie të fëmijëve në procesin arsimor është në nivel jo të kënaqshëm, ndaj është i nevojshëm një angazhim më i madh për t' ju ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve, ashtu si parasheh edhe ligji. Një segment tjetër angazhimi duhet të jetë edhe luftimi i trafikimit të fëmijëve. Të vetëdijshëm për peshën e këtyre problemeve, diskutuesit kërkuan që këto çështje të jenë objekt shqyrtimesh të mëtejme, duke propozuar edhe një takim me ministrin për Arsim, Shkencë dhe Teknologji. Para Komisionit, u tha në vijim, shtrohen detyra edhe sa i përket monitorimit të zbatimit të ligjeve përkitazi me fushat që përfshin ky Komision.