Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtuesit e RTK-së

, 17.03.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi, ka pritur kryetarin e Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi dhe drejtues të tjerë të mediumi publik: Sylejman Shaqiri drejtor i përgjithshëm i RTK-së dhe zëvendëdrejtorët, Mentor Shala dhe Anamari Repiq, drejtorin e Televizionit, Bakim Hasani, drejtorin e Radio Kosovës dhe Radio Bluesky, Arben Fetishi dhe drejtorin financiar, Bujar Spahiu.

Ata e njoftuan kryeparlamentarin Krasniqi për auditimin e Pasqyrave financiare të RTK-së, të cilat i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës si themelues i institucionit. Është folur, ndërkaq edhe për bashkëpunimin ndërmjet menaxhmentit të RTK-së dhe Bordit, i cili është cilësuar i shkëlqyeshëm. Pos çështjes financiare të RTK-së, është thënë se duhet të zgjidhet edhe çështja e pronës dhe e arkivit të radiotelevizionit publik. Duke folur për planet për zgjerimin programor të këtij mediumi, është theksuar domosdoshmëria e krijimin të Kanalit II (për program në gjuhën serbe), po nga Kuvendi i Kosovës. Nuk ka mbetur pa u përmendur edhe çështja e Ligjit për RTK-në.

Duke i falënderuar për informacionin e ofruar për RTK-në, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar se legjislativi i vendit angazhohet për zgjidhjen e problemit të financimit të RTK-së, por edhe për krijimin e Kanalit II, si dhe zgjidhjen ligjore të çështjes së pronësisë dhe të arkivit. Ai është shprehur qartë për domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale të RTK-së, duke u thënë drejtuesve të këtij mediumi se këtë mund ta bëjnë vetë ata.

“Kuvendi nuk ndërhyn në politikat redaktuese të RTK-së, por si taksapagues i Kosovës do të thosha se duhet bërë punë shumë të madhe për ngritjen e programeve cilësore nga arsimi, kultura, shkenca dhe sporti”, u ka thënë Krasniqi drejtuesve të RTK-së, të cilët e kanë falënderuar atë për mbështetje të sinqertë.
Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtuesit e RTK-së