Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 19.03.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga Zylfije Hundozi, kryetare e komisionit, u diskutua rreth shfrytëzimit të fondeve të IPA-s (Instrumenti I Para-Anëtarësimit). Prezantimin për këtë çështje e bëri kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrimit Evropian, Edon Cana.

Z. Cana theksoi para anëtarëve të Komisonit se fondet e IPA-s janë shfrytëzuar bazuar në këshillat që agjensioni i ka ofruar Komisionit Evropian, nëpërmjet zyrës ndërlidhëse, sipas prioriteteve të cilat janë në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Këto prioritete reflektojnë çështje nga dokumentet strategjike-afatmesme, veçanërisht nga plani i veprimit për partneritet evropian. Cana tha se fondet e shtyllës së parë janë të dedikuara në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, kriteret politike, ekonomike dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me acui comunitare, dhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ai tha se tashmë Kosova ka çasje për herë të parë edhe në shtyllën e dytë të IPA-s.

Me këtë rast Cana para anëtarëve të komisionit parlamentar shpalosi projektet të cilat janë të aprovuara dhe ato të cilat do të implementohen.

Procesi i implementimit të këtyre projekteve është duke shkuar në mënyrë të mirë, tha Cana me ç‘rast sqaroi se Kosova ka pasur çasje në tre për qind të fondeve totale, ndërsa këtë vit Kosova ka çasje me 16 për qind në fondet totale të kornizës investuese të Ballkanit Perëndimor.

Në vijim të këtij takimi është shqyrtuar Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, si dhe Projektligji për Gazetën Zyrtare me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE, me ç‘rast anëtarët e komisionit vlerësuan se këto Projektligje mund të procedohen tutje.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane