Lajmet e fundit

Në Lipjan u mbajt dita e dyte e “Javës së Kuvendit”

, 19.03.2010




Zhvillimet aktuale politike, objektivat e Kuvendit të Kosovës në fushën e legjislacionit dhe çështje tjera me interes për qytetarët e Komunës së Lipjanit ishin në qendër të vëmendjes së bashkëbisedimit të ditës së dytë të “Javës së Kuvendit” që u mbajt në Lipjan. Kësaj vizite, i printe kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë dhe deputetë të zonës. Me këtë rast ata u takuan me strukturat udhëheqëse, me këshilltarët komunalë, me qytetarë dhe me përfaqësues të komuniteteve pakicë të kësaj komune.

Duke iu uruar mirëseardhje drejtuesve të Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve të kësaj ane, kryetari i Komunës së Lipjanit , Shukri Buja, foli për zhvillimet e gjithëmbarshme të komunës së Lipjanit. Duke përmendur disa nga të arriturat e këtushme, ai përmendi disa rezultate të rëndësishme që janë arritur në fushën e arsimit, sidomos në zgjerimin e rrjetit shkollor, si dhe për disa ndërtime të reja të ndërtesave shkollore në këtë komunë. Ndërkaq, në lëmin e shëndetësisë, theksoi ai, është e nevojshme një angazhim shumë më i madh për shtrirjen më të gjerë të e institucioneve nga mjekësia familjare , e cila nuk përmbush nevojat e këtushme. Përkitazi me sferën e legjislacionit, z. Buja tha se çështje e zbatimit të Ligjit për vetëqeverisje lokale është mjaft problematik.

Duke iu drejtuar të pranishmëve kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fillim i bëri një vështrim strukturës së Kuvendit të Kosovës, ndërsa në vazhdim foli për të arriturat në fushën e legjislacionit , si dhe për obligimet e reja që e presin këtë organ legjislativ në të ardhmen. Në këtë frymë ai tha se deri tash Kuvendi i Kosovës ka aprovuar 300 ligje, nga të cilat 140 vetëm në Legjislaturën III. Shumica e këtyre ligjeve , tha kryekuvendari Krasniqi, rregullojnë çështje të shtetësisë së Kosovës, përkatësisht të funksionimit të institucioneve të shtetit të pavarur të vendit . Ligjet e Kosovës janë hartuar e ndërtohen mbi bazën e standardeve të BE-së. Në vijim kryekuvendari i Kosovës, Krasniqi, foli për procesin e njohjes së Kosovës, duke vënë në pah se deri tash Kosovën e kanë njohur shtete të mëdha e demokratike, që përbëjnë dy të tretat e prodhimtarisë botërore. Pavarësia e Kosovës, tha ai, ka prodhuar stabilitet, ndaj perspektiva e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e qartë se sot. Duke folur për çështjen integrimit të komunitetit serb, ai tha se pjesëtarët e këtij komuniteti gjithnjë e më shumë po integrohen, por në këtë aspekt negativisht po reflektohet ndikimi i Beogradit, i cili po dëmton procesin e integrimit dhe kualitetin e jetës së komunitetit serb. Ndërkaq, duke folur për sfidat me të cilat përballet Kosova ai përmendi: sundimin e rendit dhe ligjit, luftimin e dukurive negative, siç janë: korrupsioni e ekonomia informale, çështja e papunësisë etj.

Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, anëtari i Kryesisë , Sabri Hamiti, tha se organizimi i “Javës së Kuvendit” është një shenjë e dëshirës për kuvendim me këshilltarët komunalë dhe qytetarët. Ai tha se Kuvendi i Kosovës, punën më të madhe e bën në komisione, nga del substanca e vërtetë, e cila pastaj finalizohet në seancë plenare. Ndërkaq, rreth disa zërave se Qeveria po ia përcakton agjendën Kuvendit, ai tha se nuk është e vërtetë se Qeveria ia përcakton a agjendën Kuvendit, tjetër punë është se sponzoruese e ligjeve është Qeveria.

“Imazhin tonë jemi duke e ndërtuar me angazhimin tonë dhe ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë. Por, ata edhe po na monitorojnë. Kuvendin e konsiderojmë të përgjegjshëm, por ky organ mund të bëjë më shumë , sidomos në monitorimin e ligjeve dhe të kontrollit parlamentar të institucioneve. Tash shtrohet çështja e llogaridhënies ndaj qytetarëve. Në si opozitë kemi ngritur mocione e interpelanca, mbi bazën e të cilave janë bërë debate”, theksoi anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi. Ai në vijim tha se po të bëhej një luftë me e madhe kundër ekonomisë informale, buxheti i Kosovës do të dyfishohej.

Anëtari i Kryesisë, Etem Arifi foli për disa kolizione në fushën e ligjeve, sidomos kur është fjalë për Ligjin për vetëqeverisje lokale.

Pas fjalëve të kryekuvendarit dhe të anëtarëve të Kryesisë u zhvillua debat i gjerë me këshilltarët komunalë, me qytetarë, si dhe me pjesëtarë të komuniteteve.

Angazhimet e këshilltarëve komunalë dhe qytetarëve u përqendruan sidomos në kërkesën për një administratë më funksionale, mirëpo ata njëherësh shtronin pyetje se si mund të arrihet kjo, derisa pagat e shërbyesve civilë janë aq të vogla. Ata kërkonin një luftë më të ngulmët kundër korrupsionit, si dhe një mbikëqyrje më të madhe ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura që i përgjigjen Kuvendit. Këshilltarët komunal dhe qytetarët angazhoheshin që sa më parë të ndryshohen ose të sillen ligje të reja për disa fusha, por në radhë të parë përmendnin aprovimin e ngutshëm të disa ligjeve,si:Ligjin e Punës, Ligjin për Vlerat e Luftës, Ligjin për Pagat,Ligjin për Shërbyesit Civilë, Ligjin për Pensionistët, si dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

Gjatë debatit u ngrit edhe çështja e Albin Kurtit. Lidhur me këtë kryekuvendari Krasniqi tha se peticioni i qytetarëve me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme iu ka dorëzuar komisioneve përkatëse të Kuvendit dhe ato do të raportojnë për procedurat që duhet ndjekur në këtë rast. Z. Krasniqi u shpreh se nuk ka pasur nevojë që ky proces të përsëritet. Çdo gjykim ndaj tij është politik, ai nuk ka përgjegjësi ligjore , por morale, mirëpo Kuvendi nuk mund t’ ia shpallë pafajësinë, sepse kjo punë është në kompetencë të gjyqësorit.

Në takimin me pjesëtarë të komuniteteve, kryetari i Kuvendit, Krasniqi, theksoi se me Kushtetutë dhe ligje janë siguruar standarde të nivelit evropian sa i përket sigurimit të të drejtave dhe lirive të komuniteteve pakicë.”Jemi të angazhuar për një shoqëri demokratike, pa dallime ne baza nacionale”, tha kryekuvendari Krasniqi. Në debatin që pasoi dominoi problemi i papunësisë, dhe kërkesa që kjo dukuri të zbutet, pastaj çështje të shkollimit, të sigurimit të teksteve shkollore në gjuhët e komuniteteve përkatëse etj.
Në Lipjan u mbajt dita e dyte e “Javës së Kuvendit”