Lajmet e fundit

NDI-ja promovoi “Udhëzuesin për Avokim të Shoqërinë Civile në Kuvendin e Kosovës”

, 24.03.2010




Në kuadër të Programit për Përkrahje të Kuvendit të Kosovës, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka promovuar sot në ndërtesën e Kuvendit “Udhëzuesin për Avokim të Shoqërinë Civile në Kuvendin e Kosovës”.

Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Rreth rolit dhe rëndësisë së publikimit të këtij Udhëzuesi, të pranishmëve iu drejtuan: Laura Nichols, drejtoreshë e NDI-së për Kosove, Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rob Benjamin, drejtor regjional i NDI-së për Evropën Jugore dhe Qendrore dhe Veton Mujaj, përfaqësues i Shoqërisë Civile.

“Ky publikim ka për qëllim të inkurajojë rol më aktiv të shoqërisë civile, gjatë avokimit për çështjet të cilat janë në shqyrtim në Kuvend të Kosovës. Në një shoqëri demo¬kratike sektori i shoqëri civile është shumë aktiv në mbrojtjen e interesave publike dhe nuk paraqet vetëm mekanizëm reagues në zhvillimet politike” theksoi z. Benjamin, drejtor regjional i NDI-së për Evropën Jugore dhe Qendrore, i cili po qëndron për vizitë disaditore në Kosovë.

Udhëzuesi ofron një kornizë të përgjithshme për procesin ligjvënës në Kosovë, përfshirë avokimin (si mjet të fuqishëm) dhe lobimin (si mekanizëm avokimi), për t’i shtyrë përpara çështjet në institucionet qeverisëse. Gjatë përpilimit të Udhëzuesit kanë ndihmuar edhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile. Udhëzuesi përmban shembuj nga aktivitetet e këtyre organizatave me Kuvendin e Kosovës dhe është përgatitur në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.

NDI-ja punon në Kosovë që nga viti 1999 për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe qeverisë transparente, e cila është e përgjegjshme ndaj qytetarëve. Programet e NDI-së në Kosovë përfshijnë fuqizimin e legjislativit, zhvillimin e partive politike dhe pjesëmarrjen qytetare, dhe në pjesë të madhe financohen nga populli amerikan, nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
NDI-ja promovoi “Udhëzuesin për Avokim të Shoqërinë Civile në Kuvendin e Kosovës”