Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti një grup nxënësish të shkollës së mesme dhe të asaj fillore të Mamushës

, 25.03.2010




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një grup nxënësish të shkollës së mesme dhe të asaj fillore të Mamushës, të cilët ishin të shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, z. Rifat Krasniq, kryetari i Komunës së Mamushës, z. Arif Bytyq, nënkryetarët e kësaj komune, si dhe drejtorët e shkollës fillore dhe asaj të mesme. Duke iu uruar mirëseardhje, kryekuvendari Krasniqi në fjalën e tij u përqendrua në punën e Kuvendit të Kosovës në fushën legjislacionit, si dhe të strukturës së Kuvendit. Ligjet që ka sjellë Kuvendi i Republikës së Kosovës, tha Jakup Krasniqi, kanë mundësuar t’ i bëjnë funksionale institucionet e Kosovës. Po kështu, ligjet e miratuara rregullojnë edhe marrëdhëniet në fushën e realizimit të të drejtave dhe lirive të pjesëtarëve të komuniteteve sipas standardeve më të larta në Rajon. Kuvendin e Kosovës, tha në vijim kryekuvendari Krasniqi, e përbëjnë 8 grupe parlamentare, nga të cilat 5 janë nga shumica parlamentare , ndërsa tri nga komunitetet pakicë. Ndërkaq, në Kuvend fliten tri gjuhë: gjuha shqipe dhe ajo serbe si gjuhë zyrtare, ndërsa në përdorim është edhe gjuha turke, përkatësisht deputetët turq flasin në gjuhën ë tyre. Këto të arritura, tha kryekuvendari Krasniqi, janë pasuri e veçantë për jetën e gjithëmbarshme në Kosovë. Në emër të nxënësve dhe personelit mësimdhënës, kryekuvendarin e përshëndetën dhe e falënderuan për pritjen , nënkryetarja e Kuvendit të Komunës Ganimete Sadiku dhe drejtori i shkollës së mesme Hevzi Mazrek.
Kryekuvendari Krasniqi priti një grup nxënësish të shkollës së mesme dhe të asaj fillore të  Mamushës