Lajmet e fundit

Këshilltari Hajrizi priti presidentin e Konferencës Evropiane për Amerikën Qendrore, David Balsa

, 26.03.2010




Këshilltari politik dhe shef i kabinetit të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, i shoqëruar nga Basri Musmurati dhe Ismet Hajrullahu, po ashtu këshilltarë të kryeparlamentarit, ka pritur sot në një takim presidentin e Konferencës Evropiane për Amerikën Qendrore, David Balsa, me të cilin ka biseduar rreth proceseve në Kosovës, në veçanti, rreth mundësisë së zgjerimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga vende të Amerikës Qendrore.

Hajrizi, pasi i ka uruar mirëseardhje diplomatit Balsa dhe i ka përcjell atij përshëndetjet e kryeparlamentarit Krasniqi, ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme të situatës politike në vend, duke u fokusuar në procesin e njohjeve. Në këtë aspekt, ai ka shfaqur interesimin e institucioneve të Kosovës për rritje të numrit prej 65 shtetesh, sa e njohin aktualisht Kosovën, dhe ka shprehur besimin e tij se ardhja e presidentit të Konferencës Evropiane për Amerikën Qendrore do të kontribuojë në këtë drejtim. Në vazhdim, këshilltari i kryeparlamentarit të Kosovës ka shfaqur edhe interesimin e Kuvendit të Kosovës për vënien e kontakteve ndërparlamentare me ato shtete dhe organizimin e vizitave të ndërsjella. Në këtë kuadër, ai i ka shfaqur z. Balsa gatishmërinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës për vizitë në Parlamentin e Amerikës Qendrore dhe në parlamente të shteteve të këtij rajoni.

Duke përmendur efektet e pavarësisë së Kosovës, Hajrizi ka thënë se shpallja e saj e ka stabilizuar rajonin. Ai ka folur edhe për të drejtat dhe garancitë maksimale që gëzojnë komunitetet pakicë në Kosovës, në veçanti komuniteti serb.

Presidenti i Konferencës Evropiane për Amerikën Qendrore, David Balsa, duke shfaqur kënaqësinë e tij që gjendet në Kosovë dhe që takohet më përfaqësues të Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në rajon është intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Amerikës Qendrore dhe atyre të Ballkanit. Në këtë kuadër, ai ka potencuar nevojën e vizitave të përfaqësuesve nga Kosova në vende të Amerikës Qendrore dhe në Parlamentin e atij rajoni, si mundësi e mirë për lobim dhe njohje të mëtejme të pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se Amerika Qendrore do të forcojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, por edhe me vende që ende nuk janë anëtare të tij, përfshirë edhe Ballkanin. “Kosova është pjesë e rëndësishme e Ballkanit dhe duhet të marrë pjesë në afrimin me Amerikën Qendrore, sikurse vendet e tjera të rajonit”, ka theksuar Balsa. Ai ka thënë se do t’i transmetojë në Parlamentin e Amerikës Qendrore informacionet e marra në Kuvendin e Kosovës, dhe gatishmërinë për të vënë kontakte të drejtpërdrejta. “Shoh një ambient të favorshëm për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Amerikës Qendrore”, ka theksuar ai.
Këshilltari Hajrizi priti presidentin e Konferencës Evropiane për Amerikën Qendrore, David Balsa