Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 29.03.2010




Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Bahri Hyseni, kryetar, ka shqyrtuar Raportin e Punës së Agjencionit Kundër Korrupsion për vitin 2009. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të këtij Agjensioni.

Kryetari Hyseni tha se raporti është i plotë, i hartuar mirë dhe ka ardhur në Kuvend brenda afatit të përcaktuar ligjor. Sipas tij, raporti përmban informacione për të gjitha institucionet, si dhe për rastet e dyshuara për korrupsion, të cilat i janë adresuar prokurorisë.

Përfaqësuesi i AKK-së, Mentor Borovci, tha se në raport është dhënë një tablo e përgjithshme. Ai theksoi se Agjensioni ka bashkëpunim të mirë me institucionet, përfshirë edhe Prokurorinë e EULEX-it. Sipas tij, miratimi i ligjeve të reja në këtë fushë, e ka plotësuar nomenklaturën ligjore në parandalimin e korrupsionit.

Anëtarët e Komisionit e kanë vlerësuar raportin si të hartuar mirë, por kanë dhënë disa vërejtje dhe kanë ngritur një varg çështjesh. Komisioni ka ngritur një grup pune i cili do të merret me nxjerrjen e rekomandimeve, të cilat do ta shoqërojnë raportin për në seancë plenare.

Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni ka mbështetur në parim Projektligjin për Gjykatat, si dhe ka shqyrtuar edhe një varg çështjes që lidhen me fushëveprimtarinë e Komisionit.
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi