Lajmet e fundit

Mbahet “Java e Kuvendit” në Graçanicë

, 31.03.2010




Në kuadër të „Javës së Kuvendit“, sot, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë, sekretari i Kuvendit, si dhe deputetë nga rajoni, ishin në Graçanicë , ku u takuan me strukturat udhëheqëse komunale, me këshilltarët komunalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë. Delegacioni i Kuvendit në fillim u prit nga kryetari i Kuvendit të Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, i cili pasi u uroi mirëseardhje paraqiti një fjalë të shkurtër për ecuritë aktuale në këtë Komunë, pas zgjedhjeve komunale, duke u përqendruar edhe në punët që po bëhen këtu në rrethana të reja. Në këtë frymë ai theksoi se ishte fat që ka punuar me kryekuvendarin Krasniqi dhe me anëtarët tjerë të Kryesisë, duke shprehur besimin se një përkrahje të këtillë ai dhe Komuna e Graçanicës do të kenë ne vijimësi në mbarë zhvillimet e gjithëmbarshme. Detyrën e re që ka marrë, ai e quajti shans , por edhe sfidë, sepse, si u shpreh ai, nuk është lehtë të ndërtohet një sistem funksional.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e përgëzoi z. Stojanoviq për zgjedhjet e suksesshme dhe për punët e filluara në shërbim të qytetarëve, duke e siguruar se udhëheqja dhe mbarë Komuna e Graçanicës do të ketë përkrahjen e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë në zhvillimet e gjithëmbarshme. Formimi i kësaj komune është në interes të qytetarëve, ajo u shërben atyre, por ajo njëkohësisht duhet edhe t' ju ofrojë perspektivë qytetarëve.

Duke iu drejtuar strukturave udhëheqëse komunale, me këshilltarët komunalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë, kryekuvendari Krasniqi tha:”Në këtë bashkëbisedim kemi ardhur të flasim për të gjitha çështjet e zhvillimit në të ardhmen, për traditën e re demokratike që po krijohet në shërbim të qytetarëve”. Në vazhdim z. Krasniqi foli për strukturën e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, 24 janë nga minoriteti serb dhe komunitetet tjera pakicë. Po të dilte në zgjedhje më masivisht komuniteti serb, ai do të kishte një pjesëmarrje më të madhe deputeteve nga vota e drejtpërdrejtë. Zgjedhjet në Graçanicë japin një shembull shumë të mirë se si zhvillohen zgjedhjet e si zgjedhen deputetët nga vota e drejtpërdrejtë.

Më tej, kryekuvendari tha se në përbërjen e Kuvendit bëjnë pjesë 8 grupe parlamentare, ndërsa Kuvendi ka 16 komisione, aty edhe ku bëhet punë kryesore në fushën e legjislacionit. Në tri legjislaturat e deritashme janë aprovuar 300 ligje, ndërsa vetëm në Legjislaturën III janë aprovuar 140 sosh. Me këto ligje rregullohen fusha të rëndësishme të shtetësisë dhe të jetës në Kosovë, si dhe marrëdhëniet e gjithëmbarshme shoqërore e ekonomike, sidomos kur është fjala për të drejtat dhe liritë njeriut. Në këtë lëmë janë arritur standarde ta larta, jo vetëm në Rajon , por edhe më gjerë në Evropë. Një nga sfidat kryesore është integrimi në jetën institucionale i serbëve, ndërsa në këtë rast formimi dhe funksionimi i Komunës së Graçanicës tregon se për qytetarët është hapur perspektivë e re dhe e sigurt.“Jemi duke treguar vullnet që me ligje të rregullojmë marrëdhëniet ndëretnike e ekonomike, të përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar për të ndërtuar një shoqëri demokratike, ku sundon ligji, drejt një jete me dinjitet të qytetarëve“, theksoi kryekuvendari Krasniqi. Në të gjitha këto aktivitete një rol të rëndësishëm ka edhe shoqëria civile, e cila duhet të jetë oponencë e institucioneve, qoftë të nivelit lokal, qoftë në atë qendror. Përpjekjet duhet të përqendrohen në aspektin e ndihmës ndaj institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet, në funksion të krijimit të një kualiteti të ri të jetës në Graçanicë dhe në mbarë vendin.

“Ne nuk mund të ndryshojmë historinë, por mund të ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen“, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

“Jemi këtu për të ofruar e gjetur zgjidhje për të gjitha problemet. Udhëheqja e Kosovës i ofron mbështetje të plotë Graçanicës. Kjo komunë ka perspektivë, ndërsa ka arritur tashmë rezultate të rëndësishme”, theksoi në fjalën tij anëtari i Kryesisë Sllobodan Petroviqi. Ai në vijim i shprehu mirënjohje kryetarit të kësaj komune, për përpjekjet që bën në funksionalizimin e institucioneve të komunës dhe zhvillimin e saj. Qytetarët, tha Petroviqi, tashmë po e kuptojnë se formimi i komunës është në interes të tyre.

Nexhat Daci, anëtar i Kryesisë, tha se institucionet dhe njerëzit e rinj , në rrethana të reja mund të tejkalojnë edhe vetveten. Puna e mirë e kësaj komune mund të reflektohet pozitivisht edhe në Rajon e më gjerë. Anëtari i Kryesisë , Ibrahim Gashi në fillim të fjalës së tij përgëzoi kryetarin dhe këshilltarët komunal për guximin që patën që të përfaqësojnë interesat e vërteta të qytetarëve, që njëherësh janë interesa edhe të qytetarëve të mbarë popullsisë së Kosovës. “ Ne gjithnjë kemi përkrahur decentralizimin dhe formimin e komunave të reja, duke ofruar ndihmën tonë”, theksoi ai.

Pyetjet e qytetarëve u përqendruan më shumë në çështjen e ngritjes së infrastrukturës, sidomos kur është fjala për rrugët, rrjetin shëndetësor,shkollat, punësimin etj. Përkitazi me këto probleme, u tha se edhe pjesët tjera të Kosovës ballafaqohen me shumë vështirësi, por u theksua se tashmë kjo komunë ka 270 projekte të ndryshme, më të cilat synohet të zbuten këto probleme. Hapa më konkret janë bërë sidomos në projektin për ndërtimin e spitalit, për të cilin tashmë Qeveria e Kosovës ka siguruar një shumë mjetesh financiare.
Mbahet “Java e Kuvendit” në Graçanicë