Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

, 08.04.2010




Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë, u debatua për ngjarjet e 10 Shkurtit 2007, si dhe për rastin e procesit gjyqësor ndaj udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Pasi që Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, me anë të një peticioni ka mbledhur rreth 150 mijë nënshkrime, me ç‘rast kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me kërkesën e nënshkruesve të peticionit, këtë çështje e kanë shqyrtuar Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Komisionet në fjalë i kanë rekomanduar Kryesisë së Kuvendit që të shqyrtohet në seancën e sotme plenare për ngjarjet e 10 shkurtit 2007, rekomandime të cilat para deputetëve, gjatë kësaj séance i sqaruan kryetarët e këtyre komisioneve funksionale, Ismet Beqiri dhe Bahri Hyseni.

Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione kanë shqyrtuar peticionin e Albin Kurtit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të nxjerrë një përfundim në Kuvend lidhur me çështjen Kurti, rastin e ngjarjeve të 10 shkurtit 2007, si dhe krijimin e një komisioni Ad-Hoc.

Peticioni ka ardhë si rrjedhojë e humbjes së besimit në drejtësi, mirëpo fajësinë apo pafajësinë duhet ta japin organet e drejtësisë, tha më këtë rast kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni. Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, kërkoi që të përmbyllet rasti Kurti. Buja i sugjeroi Kurtit që të shkojë dhe ta dëshmojë pafajësinë e tij dhe të përmbyllet kjo çështje si proces gjyqësor, meqë ky është obligim i secilit qytetar për t’u paraqitur në gjykatë, dhe për të dëshmuar. Kurti duhet të shkojë si qytetarë i ndërgjegjshëm për të dëshmuar- pafajësinë e tij, tha Buja. Ai shtoi se krijimi i një komisioni Ad-Hoc brenda Parlamentit, nuk mund të realizohet dhe kjo është e panevojshme, meqë ne duhet t’i kërkojmë KB-së që të zhvillojë procedurat kundër atyre që kanë bërë gabime dhe t’i ndëshkojë ata.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, (i cili foli edhe si kryesues i Komisionit për të Drejtat e Njeriut…për peticionin e Kurtit) duke folur për ngjarjet e 10 shkurtit përmendi dorëheqjen e ish-Ministrit të MPB-së, Fatmir Rexhepi, duke e quajtur dorëheqjen e tij akt moral.

Sa i përket peticionit për Kurtin, konsiderojmë që është një vullnet i shprehur nga 150 mijë qytetarë dhe ne e përkrahim debatin në këtë seancë, sepse i plotëson kushtet, theksoi Beqiri.

Ahmet Isufi, përfaqësues i Grupit Parlamentar të AAK-së, po ashtu tha se janë përmbushur të gjitha kushtet që të debatohet lidhur me rastin Kurti. Drejtësia në Kosovë duhet të reformohet dhe nëpër gjykata duhet të punojnë njerëz të cilët e zbatojnë ligjin dhe që e respektojnë atë. Drejtësia sot ka humbur besimin e qytetarëve në Kosovë. Para se të kemi rastin Kurti në Kosovë, drejtësia është dashtë të merret me vrasjen e dy qytetarëve të Kosovës gjatë protestave të 10 shkurtit. Ne nuk përzihemi në drejtësi por kemi të drejtë të sugjerojmë që drejtësia të funksionojë ashtu siç duhet. Ndërsa, rasti i Kurtit duhet të rishqyrtohet edhe një herë nga organet e drejtësisë, tha më këtë rast Isufi.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli u shpreh se procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit është një veprim që ka shkatërruar gjyqësorin, tha ai duke kritikuar në vazhdimësi gjykatësit ndërkombëtar. Rasti Kurti tregon që nuk ka drejtësi të pavarur. Në gjykatë gjendet viktima, e jo fajtori, tha ai. Drejtësia ndërkombëtare në Kosovë është e politizuar dhe e njëanshme. Duhet të kërkojmë nga drejtësia që të zbardhen ngjarjet e shkurtit të vitit 2007, këtë duhet kërkuar nga misioni i EULEX që të bëjnë hetime të pavarura dhe të kërkojnë nga OKB-ja të zbardhet rasti, tha Makolli.

Nexhat Daci, nga Grupi Parlamentar i LDD-së, fillimisht ka falenderuar punën dhe vendimin e dy komisioneve parlamentare për shqyrtimin e rastit Kurti. Ai duke përmendur rastin e ngjarjeve të 10 shkurtit theksoi se ne nuk mund të caktojmë fajësinë e dikujt, mirëpo ne duhet t’i krijojmë kushte gjyqësorit, atyre që e përcaktojnë lirinë, tha Daci duke theksuar se në Kosovë kemi dy kute të drejtësisë.

Në vazhdim të kësaj seance deputetët njëzërit kërkuan që të respektohet rendi dhe ligji në Kosovë. Ata kërkuan që në Kuvend të merret një vendim për rastet në fjalë dhe të krijohet një komision hetimor brenda Parlamentit të Kosovës, për të gjitha rastet politike në Kosovë, ndërsa disa deputetë të tjerë e kundërshtuan këtë.

Sa i përket ngjarjes së 10 shkurtit, deputetët vlerësuan se aktakuzë është ngritur për të dëmtuarit, e jo për akterët e krimit. Deputetët opozitar theksuan se në Kosovë nuk është duke funksionuar shteti ligjor. Prandaj, sipas tyre për këto raste duhet kërkuar përgjegjësi nga UNMIK-u, EULEX-i, ICO-ja.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duke kërkuar në vazhdimësi reformin të sistemit të drejtësisë, u shprehën që çështja e ngjarjeve të 10 shkurtit, të shkojë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në mënyrë që kjo ministri të kërkojë llogari nga shteti i Rumanisë, për policët rumun që ishin me mision në Kosovë.

U tha po ashtu se Kuvendi duhet t’i kërkojë OKB-së që të zhvillojë procedurat kundër atyre që vranë dy protestues dhe plagosën 80 të tjerë. Duke dënuar vrasjen e dy qytetarëve nga policia e UNMIK-ut, deputetët kërkuan njëzërit që akterët të dalin para drejtësisë dhe të zbardhet drejtësia. Madje, siç u shprehën disa nga deputetët Kuvendi këtë duhet ta kërkojë nga EULEX-i. Me këtë rast deputetët kërkuan që të përmbyllet procesi gjyqësor ndaj liderit të “Vetëvendosja” duke vlerësuar që mos të barazohet viktima me vrasësin.

Sipas rekomandimeve të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, të cilin e ka prezantuar kryetari i komisionit, Bahri Hyseni, Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje.
Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës