Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 13.04.2010




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet më 29 prill, 2010.

Pas shterimit të pikës së zakonshme të rendit të ditës së seancave të rregullta të Kuvendit - pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës- në seancën 29 prillit do të shqyrtohen edhe këto çështje: Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, Raporti i Komisionit të Pavarur të Medieve për vitin 2009, Raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2009, si dhe Raporti i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2009.

Sipas përfundimit të Kryesisë nga mbledhja e kaluar, këtij rendi të ditës i shtohet edhe shqyrtimi i dytë i Propozim-Rregullores së Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash, mocionesh dhe rekomandimesh. Kështu duke e shqyrtuar Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarit në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion që ta shqyrtojë këtë propozim-vendim dhe Kuvendit t’ia paraqesë Raportin me Rekomandime. I njëjti komision ngarkohet që ta shqyrtojë edhe Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2009 dhe të përgatisë për Kuvendin Raportin me Rekomandime.

KETIETT-ja është ngarkuar që ta shqyrtojë edhe Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2009 dhe Kuvendit t’ia paraqesë gjithashtu Raportin me Rekomandime.

Kryesia e ka shqyrtuar edhe Raportin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me buxhetin për vitin 2009, duke ngarkuar Komisioni për Buxhet dhe Financa që ta shqyrtojë Raportin e Qeverisë lidhur me buxhetin për vitin 2009, dhe Kuvendit t’ia paraqes Raportin me Rekomandime.

Kryesia është njoftuar me kërkesën e Sindikatës së Pavarur të PTK-së për kundërshtimin e privatizimit të PTK-së, si dhe me kërkesën e Komisionit për Buxhet dhe Financa, drejtuar Qeverisë së Kosovës, për plotësimin e informatës për ndryshimin e tabelave buxhetore 3.2 dhe 4.2 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010.

Në takimin e sotëm të Kryesisë është shqyrtuar edhe kërkesa për lejimin e udhëtimit zyrtar për anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Gjermani, si dhe kërkesa e Komisionit për të drejtat e njeriut, për lejimin e afatit shtesë për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës