Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 14.04.2010




Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga Zylfije Hundozi, ministri për Integrime Evropiane, Besim Beqaj, para anëtarëve të komisionit, ka paraqitur sfidat që e presin këtë ministri në të ardhmen, në raport me proceset integruese evropiane.

Ministri Beqaj duke përmendur radhazi prioritetet e kësaj ministrie të sapoformuar tha se parapërgatitja për procesin e liberalizimit të vizave mbetet çështje parësore. Po ashtu, ai përmendi edhe bashkëpunimin me të gjitha ministritë që duhet ta ketë në të ardhmen ministria në fjalë, me qëllim të përmirësimit në sfidat e identifikuara në Raportin e Progresit. Beqaj tha se përkrahje të fuqishme sheh nga Parlamenti i Kosovës, veçanërisht në Komisionin Parlamentar të Integrimeve Evropiane, për të shënuar lëvizje pozitive në këtë aspekt.

Tutje, Beqaj sqaroi para anëtarëve të Komisionit se aktualisht Agjencia per Kordinimin e Zhvillimit dhe Integrimit Evropian është shkrirë në Ministrinë e Integrimeve, dhe aktualisht në këtë ministri janë 34 punonjës. Ai shtoi se kjo ministri do të kompletohet shumë shpejtë.

Ministri Beqaj i është përgjegjur edhe pyetjeve të shumta të anëtarëve të komisionit, të cilët njëkohësisht e kanë përgëzuar krijimin e kësaj ministrie të re dhe ministrin Beqaj.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane