Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit

, 15.04.2010




Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të saj e ka drejtuar anëtari i Kryesisë, Naim Maloku), ka shqyrtuar për herë të parë pesë projektligje.

Projektligjin për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, e ka prezantuar ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, e cila ka theksuar nevojën e modernizimit dhe të funksionalizimit të administratës shtetërore të Kosovës. Megjithëse projektligji ka zgjuar debat të gjerë ndër deputetë, si dhe kritika të shumta për përfshirjen në të vetëm të administratës së Qeverisë, e duke e anashkaluar atë të Kuvendit dhe të Presidentit, projektligji është miratuar me numrin minimal të votave të deputetëve. Madje kryeparlamentari Krasniqi ka pasur vërejtje për mungesën në seancë të anëtarëve të komisionit funksional për këtë projektligj, të cilët gjendeshin për vizitë jashtë vendit, pikërisht në kohen kur shqyrtohet ky projektligj.

Në vazhdim, ministri i Bujqësisë, Bleran Stavileci, e ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore, i cili është miratuar gjithashtu në parim.

Duke e prezantuar Projektligjin për gjykatat, ministri i drejtësisë, Haki Demoli, ka theksuar se projektligji është hartuar në frymën e reformimit të sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe të për përcaktimit më të mirë të kompetencave dhe të përgjegjësive të të gjitha nivelet e gjykatave (gjykatave themelore, Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme). Edhe ky projektligj është miratuar në parim.

Projektligjin për grevat e ka prezantuar ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinopr, Mahir Yagcilar. Shumë nga deputetët kanë kërkuar që projektligji të mos miratohet para se të miratohet Ligji për Punën dhe Ligji për organizimin sindikal. Projektligji është miratuar me shumicë votash, siç ka ngjarë edhe me Projektligjin për energjinë elektrike, të cilin e ka prezantuar ministrja e Energjetikës, Justina Shiroka- Pula.

Fare në fillim të seancës kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar: Shala, Yagcilar, Rashiq, Hoxhaj, Zharku, Bukoshi dhe Tahiri u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për punët e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kurse kryeparlamentari Krasniqi ka përshëndetur pjesëmarrjen në një pjesë të seancës të kryetarëve dhe nënkryetarëve, si dhe të asamblesistëve të katër komunave të Kosovës: Graçanicë, Shterpcë Ranillug dhe Kllokot, të cilët edhe i ka pritur në një takim të veçantë. Kreu i Kuvendit, ndërkaq, i ka njoftuar deputetët, si sipas vendimit të Grupit Parlamentar të LDK-së, kryetar i këtij grupi që nga sot do të jetë deputeti Ismet Beqiri.

Seanca i vazhdon punimet të premten, në orën 10:00.
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit