Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi është nisur në një vizitë zyrtare në Bullgari

, 21.04.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë Xhavit Haliti, Sabri Hamiti e Slobodan Petroviç, si dhe këshilltarët Mehmet Hajrizi e Skënder Reçica, është nisur në një vizitë zyrtare në Bullgari. Delegacionin do ta shoqërojë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Sofje, Ariana Zherka-Hoxha.

Gjatë kësaj vizite kreu i Kuvendit të Kosovës, do të takohet me kryetaren e Kuvendit Popullor të Bullgarisë, znj. Cecka Caçeva, me kryeministrin bullgar, z. Bojko Borisov, me ministrin e Ekonomisë, Energjetikës dhe Turizmit, z. Trajço Trajkov, me Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Mbrojtjen të Kuvendit bullgar. Gjithashtu, Krasniqi do të vizitojë edhe Sallën plenare dhe do të nënshkruhet në librin e miqve zyrtarë të Kuvendit Popullor.

I shoqëruar nga kryeparlamentarja bullgare Caçeva, kryetari i Kuvendit të Kosovës do të vendos kurorë lulesh para monumentit të “Ushtarit të panjohur” dhe do t’i bëjë një vizitë turistike pjesës së vjetër të qytetit Plovdiv.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës kthehet në atdhe të premten, më 23 prill.
Kryeparlamentari Krasniqi është nisur në një vizitë zyrtare në Bullgari