Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit

, 22.04.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, të kryesuar nga Hydajet Hyseni-Kaloshi, kryetar i Komisionit, temë e rëndit të ditës ishte plotësimi i Raportit me rekomandime lidhur me Projekt-Rregulloren e Kuvendit, që u është shpërndarë deputetëve me 14.4.2010. Në mbledhje merrnin pjesë edhe kryetarët e komisioneve për Buxhet dhe Financa dhe Mbikëqyrje të Financave Publike, përkatësisht Gani Koci e Haki Shatri, si dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi. Me këtë rast u përkrahën dy amendamente. I pari kishte të bënte me rregullën 53, pika 8, përkatësisht me përcaktimin afatit të shqyrtimit të projektligjeve, që është në funksion të efektshmërisë në këtë lëmë. Ndërkaq, amendamenti 2 kishte të bënte me rregullën 3 pika 3, ku rregullohen çështje të kompensimit të deputetëve për pjesëmarrje në seanca të Kuvendit dhe në komisione. Në këtë mbledhje u bë fjalë edhe për disa çështje të përcaktimit përkatës të fushëveprimit të komisioneve për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrje të Financave Publike. Lidhur me këtë folën Gani Koci dhe Haki Shatri, nga fjalët e të cilëve nuk vërehej sa ka diçka të diskutueshme në këtë çështje, ndaj u mor qëndrim që kryetarët të sjellin në Komision marrëveshjen e harmonizuar rreth fushë veprimtarisë së këtyre komisioneve, për t’u përfshirë pastaj në dispozitat e kësaj Rregulloreje.
Mbledhja e Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit