Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 22.04.2010




Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Zylfije Hundozi, kryetare e Komisionit, sot ka mbajtur dëgjim publik, në të cilin u diskutua për përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Fillimisht kryetarja e Komisionit, Zylfije Hundozi kërkoi nga ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, sqarime lidhur me Ligjin e Punës, me ç‘rast ky ligj është kritikuar dhe është kthyer sërish për hartim në ministri, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Se a janë përmirësuar vërejtjet e FMN-së për Ligjin e Punës, kur pritet ky ligj të jetë në Kuvendin e Kosovës, dhe sa do të jetë i zbatueshëm, ishin disa nga çështjet që ngritën anëtarë të komisionit dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore, të cilët ishin të pranishëm në takimin e këtij Komisioni.

Një çështje tjetër të ndjeshme të cilën e shtroi kryetarja e Komisionit, ishte edhe trafikimi i fëmijëve, dhe çështja e personave me aftësi të kufizuara, të cilat kanë qenë prezantuar edhe si sfida të dala nga raporti i Progresit.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Sadik Idriz, i cili tha se pa aprovimin e Ligjit të Punës nuk mund të ketë efekt dhe zbatueshmëri Ligji për Grevat. Tutje, sipas tij me Ligjin e Punës janë të ndërlidhura edhe shumë ligje të tjera, theksoi Idriz.

Megjithëse pati vlerësime se ekzistojnë implikimet buxhetore për ligjin në fjalë, të pranishmit në këtë takim kërkuan që këtë ligj ta sjellë sa më shpejt MPMS dhe të miratohet.

Në mungesë të Ligjit të Punës po vazhdojnë të shkelen të drejtat e punëtorëve, ishte vlerësimi i të gjithë pjesëmarrësve në komision.

Diskutues të ndryshëm vlerësuan se edhe pse është miratuar Ligji për persona me aftësi të kufizuara, akoma nuk ka të dhëna të statistikore në vend.

“Ligji për personat me aftësi të kufizuara nuk po gjen zbatim të mirë, kjo ngase nuk është inkorporuar me Ligjin e Punës”, tha deputetja Flora Brovina.

Edhe përfaqësues të HANDIKOS-it theksuan se ministria duhet të ketë të dhëna për përqindjen e personave me aftësi të kufizuar. Ndërsa, u kërkua që ministria të sigurojë edhe furnizimin me paisjet ndihmëse për këtë shtresë. Ndryshe, sipas këtyre përfaqësuesve, kjo ministri duhet të tregojë gatishmëri për bashkëpunim me OJQ-të, kritikë kjo që është dhënë edhe në raportin e KE-së.

Një çështje tjetër që duhet të preket në të ardhmen është edhe çështja e homoseksualizmit, u tha me këtë rast. Ndërsa, nga ministri Rashiç u kërkua që të vendoset edhe dialogu social. Pati mjaft kritika drejtuar ministrit për punë të mangët në këtë plan.

Gjatë prezantimit të tij para anëtarëve të komisionit, ministri Rashiç tha se ministria të cilën e drejton për dallim nga ministritë e tjera, ka përmbushur më së shumti pika sa i përket sfidave të dala nga Raporti i KE-së.

Sa i përket Ligjit të Punës, Rashiç tha se nuk mund të jap sqarime saktësisht se kur do të përfundojë ky ligj, megjithatë është në dijeni se shumë çështje të tjera dhe ligje ndërlidhen me ligjin në fjalë. “Sa më parë të miratohet ky ligj, për mua do të jetë shumë më lehtë. Porse, ligji në mënyrë figurative është në FMN. Më 26 Prill presim që FMN të na e konfirmojë vazhdimin tutje të këtij ligji dhe kjo nuk duhet të zgjas shumë kohë. Shpresoj që gjatë ditëve të ardhshme mund të vazhdojmë punën lidhur me këtë ligj dhe nuk besoj se do të ketë probleme esenciale”, tha Rashiç duke vlerësuar se ky Ligj do të ketë zgjidhje të qëndrueshme për një kohë të gjatë. Dhe, kosto e këtij ligji sillet rreth 1.8 milonë euro brenda vitit.

Në vazhdim të këtij takimi, sa i përket çështjes së fëmijëve që punojnë punë të rënda, Rashiç tha se në Qeveri është miratuar urdhëresa administrative për rregullimin e kësaj çështje. Kurse sa I përket çështjes për personat me aftësi të kufizuar, ai tha se që nga muaji qershor i vitit të kaluar, ka filluar ndihma për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar. Këtyre familjeve u jepen 100 euro në muaj, në mënyrë që të përballojnë më lehtë problemet jetësore, tha Rashiç.

Sipas ministrit të MPMS-së, ky vit do të jetë vit shumë i rëndësishëm për ministrinë dhe shoqërinë kosovare, ngase përveç këtij ligji pritet edhe hartimi i Ligjit për Pensionet.

“Do të kemi një ligj të qëndrueshëm i cili do të ofrojë siguri edhe për punëtorët, edhe për punëdhënësit”, tha Rashiç.

Përfaqësuesi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, ka adresuar një varg kritikash ndaj kësaj ministrie. Ai tha se Ligji për Grevat duhet ta ketë bazën nga Ligji i Punës. Duke kritikuar ministrinë në fjalë për mospunë, ai kërkoi nga ministri që sa më parë të nxjerret Ligji i Punës. “ FMN nuk është pengesë për këtë, por ministria’, tha Arifi.

Diskutuesit e tjerë të kësaj tryeze, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave vendore dhanë sugjerime të ndryshme në lidhje me sfidat e dala nga Raporti i Progresit, si dhe rreth punës aktuale të Ministrisë.

Sfidë në raportin e KE-së nuk është kalimi i ligjit, por implementimi i kornizës ligjore, u tha nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, me këtë rast u është përgjegjur pyetjeve të shumta që shtruan të pranishmit, për çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e kësaj ministrie.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane