Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 28.04.2010




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 13 maj, 2010, duke përcaktuar edhe rendin e ditës për këtë seancë. Pas pikës së zakonshme të seancave të rregullta - pyetjet parlamentare për Qeverinë e Kosovës - deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

Kuvendi në vazhdim do të debatojë rreth gjendjes në ndërmarrjet publike qendrore, para procesit të privatizimit të tyre (sipas mocionit të deputetit Driton Tali, i përkrahur nga grupi i deputetëve nënshkrues). Kryesia ka vendosur kështu përkundër faktit që Qeveria nuk i ka ofruar Kuvendit kurrfarë materiali bazë për këtë temë. Kryesia, është thënë në takim, konform Rregullores së Punës së Kuvendit, siguron që çfarëdo mocioni përmbajtjesor që mbështetet nga gjashtë ose më shumë deputetë të Kuvendit, të futet në rendin e ditës të seancës plenare të Kuvendit brenda tri javësh pune, nga dita kur është marrë kjo shkallë e mbështetjes, për të cilën vendos Kuvendi.

Kryesia, ndërkaq, e ka plotësuar rendin e ditës për seancën e 29 prillit edhe me dy pika shtesë: Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarit në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe i Propozim-vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarit në Komisionin Kosovar të Konkurrencës.

Duke e shqyrtuar kërkesën për ratifikimin (nga Kuvendi) e Propozim marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim – IDA (për Kredi dhe Grant), Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa që të shqyrtojë këtë Propozim marrëveshje dhe Kuvendit t’i paraqesë Raportin me rekomandime.

Duke e shqyrtuar, ndërkaq, Raportin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës, për vitin 2009, Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike që të shqyrtojë çështjen dhe Kuvendit t’i paraqesë gjithashtu Raportin me rekomandime.

Kryesia ka vendosur që t’i propozojë seancës plenare t’ia miratojë afatin shtesë prej 15 ditësh Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për shqyrtimin e Projektligjit për produkte dhe pajisje medicinave.

Në takimin e sotëm anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me Raportin tremujor të Trustit për kursime Pensionale të Kosovës, si dhe janë pajtuar që Raporti t’u shpërndahet të gjithë deputetëve, për njoftim.

Kryesia e ka shqyrtuar ftesën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për delegacionin e Kuvendit, për pjesëmarrje në seminarin e 74 ROSE – ROTH, i cili do të mbahet në Finlandë nga 17-19 qershor 2010, kurse në agjendë do të ketë temën – Perspektivat Evropiane të Veriut për Sfidat e Sigurisë, Ekonomisë dhe të Ambientit.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës