Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri

, 28.04.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, kryesuar nga Rrustem Mustafa, kryetar i Komisionit, u shqyrtua agjenda për vizitën në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Policinë e Kosovës.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që të vizitojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, me qëllim që të njoftohen për së afërmi për punët dhe planifikimet e këtyre dy institucioneve.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Komisionit shprehën shqetësimin e tyre lidhur me ngjarjet që ndodhën më 26 prill, gjatë intervenimit të Policisë së Kosovës për të arrestuar liderin e lëvizjes “Vetëvendosja”.

“Kërkojmë nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme që operacionet t’i zhvillojë në formën e duhur, konform parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit në zbatimin e autorizimeve policore të përcaktuara me ligj. Gjithashtu, shprehim shqetësimin për funskionimin e EULEX-it dhe sjelljen e EULEX-it në tërësi”, tha kryetari i Komisionit, Rrustem Mustafa.
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri