Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 28.04.2010




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Gani Koci, kryetar, pas marrjes së shkresës nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) për rishqyrtimin e amendamentit 47 të komisionit funksional në Projektligjin për Pagat e Nëpunësve Civilë, i cili ka të bëjë me shujtën dhe udhëtimin, ka vendosur të mos e përkrah atë amendament, për shkak të implikimeve të mëdha buxhetore, dhe ka bërë riformulimin e tij.

Përfaqësuesi i MEF-it, Agim Krasniqi, duke arsyetuar kërkesën për rishqyrtimin e këtij amendamenti, theksoi se kostoja financiare e tij është e papërballueshme për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe do të kishte efekt zinxhiror.

Kryetari i Komisionit, Gani Koci, tha se në buxhetin e vitit 2010 është e paraparë rritja e pagave për nëpunësit civilë prej 20 për qind, por deri tash nuk ka mundur të ekzekutohet për shkak të mungesës së ligjit.

Në vazhdim të mbledhjes, u shqyrtua Raporti vjetor financiar i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2009, të cilin e paraqiti kryetari i Bordit të kësaj Zyreje, Ali Hamiti. Komisioni, pasi konstatoi se ky raport është hartuar dhe dorëzuar sipas dispozitave ligjore, e përkrahu atë dhe e procedoi për në seancë.

Komisioni ka përkrahur edhe raportet vjetore financiare të Komisionit për Ndihmë Juridike për vitin 2009, i cili u paraqit nga komisioneri Sokol Haziri, dhe atë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, të prezantuar nga kryetari Mehdi Geci.

Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2009, para anëtarëve të Komisionit e prezantoi sekretari Ismet Krasniqi, i cili dha një pasqyrë të detajuar të investimeve dhe të shpenzimeve të tjera gjatë vitit të kaluar. Anëtarët e Komisionit e vlerësuan raportin të hartuar mirë dhe me detaje, si dhe shtruan disa çështje që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës brenda Kuvendit.

Komisioni, pasi shqyrtoi propozim-amendamentet e grupit punues për Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, i miratoi ato, duke e proceduar ligjin në tërësi për miratim në Kuvend.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa