Lajmet e fundit

Seance solemne e Kuvendit të Kosovës

, 28.04.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancë solemne me rastin e vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini. Në seancë, të cilën e drejtoi kryekuvendari,dr. Jakup Krasniqi, e ku mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deputetët e kanë pritur dhe përcjellë me duartrokitje frenetike ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, i cili para tyre ka pohuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, por se e ka vlerësuar të domosdoshme vënien e dialogut ndërmjet vendeve të Ballkanit, sidomos ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ineres të paqes, të stabilitetit të rajonit dhe posaçrisht në interes të qytetarëve.

“Jemi të nderuar sot me prezencën e ministrit të Jashtëm të Italisë mike, zotit Franco Frattini, të cilit në emrin tuaj dhe timin, i uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës dhe në Kuvendin përfaqësues të saj”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi në hapjen e kësaj seance solemne.

Ai në vazhdim ka shprehur mirënjohjen e thellë për ministrin Frattini dhe vendin e tij të mrekullueshëm për gjithë mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj. “Ju siguroj zoti ministër, se vendi ynë ka respektin e madh dhe ndjenjën e lartë të miqësisë ndaj Italisë, si një vend i madh mik dhe partner strategjik i tij. Ardhjen tuaj në Republikën e Kosovës dhe prezencën në këtë sallë e përjetojmë si një ngjarje të rëndësishme dhe mesazh të fuqishëm të Italisë për miqësinë dhe kujdesin ndaj vendit dhe popullit tonë” ka theksuar Krasniqi.

Ai ka theksuar se Italia ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë e historik në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës, rimëkëmbjen e sigurisë së vendit tonë, njohjen ndërkombëtare të tij dhe në proceset integruese euroatlantike nëpër të cilat po kalojmë.

Pasi ka përmendur faktin që Italia ndër të parat vende e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, është shprehur i bindur se dy vendet tona kanë marrëdhënie të mira, por se ato duhet të thellohen në të gjitha fushat e mundshme. Ai e ka parë Autostradën Durrës-Prishtinë si dalje në Detin Adriatik, dhe si lidhje më të mirë me Italinë dhe Evropën Perëndimore.

Krasniqi tutje ka theksuar se nga shpallja e Pavarësisë, Kosova është kthyer në një faktor paqeje dhe stabilitetit rajonal, me një klimë politike stabile, frymë pajtuese dhe bashkëpunimi ndëretnik. Nga të arriturat më domethënëse politike të Kosovës ai, ndërkaq, ka përmendur vendosjen e një rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Kreu i Kuvendit në fjalën e tij ka pohuar se qytetarët e Kosovës presim qëndrim korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Kosova ndodhet edhe para sfidës së njohjes më të gjerë ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizma ndërkombëtarë, duke përfshirë Këshillin e Evropës, OSBE-në, OKB-në etj.

Në të gjitha këto procese Kosova pret vazhdimin e mbështetjes së fuqishme të Italisë mike, ka thënë Krasniqi, para se ta ftonte ministrin e Jashtëm të Italisë Franc Frattini që t’i drejtohet me një fjalë rasti Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini theksoi se ndihet shumë i nderuar që gjendet në Kuvendin e Kosovës dhe që iu dha mundësia t’ iu drejtohet deputetëve të këtij Kuvendi. Ai tha se gjatë këtyre vizitave në Beograd dhe në Prishtinë përçon prioritetet e politikës italiane për perspektivë evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duke ditur se institucionet janë zemra e demokracisë e këtu nënkuptohet edhe faktori i përbërjes shumetnike, Italia i kushton kujdes të theksuar bashkëpunimit bilateral. Në këtë vështrim Italia e ka njohur menjëherë pavarësinë e Kosovës, që është një proces i pakthyeshëm dhe një faktor stabiliteti në Rajon e më gjerë. Pavarësia, theksoi ai na vijim, nënkupton garantimin e mirëqenies sociale, si dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve, ajo nënkupton bashkëpunim të thelluar ndërrajonal, zbatim konsekuent të reformave drejt integrimit evropian.

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini, në vijim përgëzoi Kuvendin dhe institucionet e Kosovës për arritjet e mëdha në ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës, megjithëse ende ka probleme në pjesën veriore të Kosovës , por edhe në procesin e zhvillimit ekonomik. Gjatë dy vjetëve të pavarësisë, tha ai, është punuar shumë në aspektin e sigurisë, ndaj gjendja e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dukshëm.

Një tjetër sukses i Kosovës së pavarur janë edhe zgjedhjet e vitit 2009, tha në vazhdim z. Frattini. Këto zgjedhje treguan pjekurinë e kosovarëve, duke ditur se në to morën pjesë edhe minoritetet. Kjo është dëshmi se procesi i decentralizimit po gjen zbatim praktik në Kosovë. Bashkimi Evropian çështjen e decentralizimit e sheh jo vetëm si objektiv, por edhe si përkushtim të përhershëm, meqë ai mundëson ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët. Ai siguron pjesëmarrje dhe transparencë të qytetarëve në të gjitha resurset e Kosoves. Duke sublimuar perspektivën e Kosovës, z. Frattini u shpreh se e ardhmja e Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian. Në këtë vështrim ai theksoi se edhe shtetet tjera që nuk ë kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës duhet ta bëjnë këtë. Kosova duhet të llogarisë gjithmonë në përkrahjen e BE-së. Në këtë frymë Italia është e bindur se Prishtina nuk do të duhej të lihet anash në proceset integruese evropiane, sepse kjo është në interesin e të gjithëve. Shih për këtë hapi i parë që duhet të ndërmerret në këtë proces, është dinamizmi i proceseve drejt integrimit evropian. Anëtarësimi në BE duhet të jetë një objektiv tërheqës për të gjithë qytetarët. Evropa po del në skenë të hapur për të afruar Ballkanin Perëndimor drejt këtij unioni.

Duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave ministri Frattini theksoi se Prishtina e ka të hapur rrugën drejt BE-së, por ajo ka edhe shumë punë për të bërë, sidomos në fushën e legjislacionit, sundimit të ligjit dhe reformave. Perspektiva evropiane gjen shprehje posaçërisht në bashkëpunimin ekonomik dhe në zhvillimin e tregtisë, ndaj është e nevojshme që ndërmjet Kosovës dhe BE-së të nënshkruhen marrëveshje në këta lëmenj.

Ministri Frattini i bëri një vështrim edhe Konferencës së ardhshme në Bosnjë. Në këtë konferencë, tha ai, duhet të jenë edhe Serbia dhe Kosova, për të luajtur rolin e tyre fleksibil dhe konstruktiv. Beogradi dhe Prishtina, u shpreh ai, duhet të dialogojnë - të gjejnë një mënyrë bashkëpunimi konstruktiv,sepse në këtë mënyrë do të legjitimoheshin mekanizmat rajonalë që ndihmojnë integrimin në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini, u bëri një vështrim edhe pjesëmarrjes së Italisë në kuadër të EULEX-it dhe të KFOR-it, si dhe gatishmërisë së Italisë për të ruajtur trashëgimin kulturore të Kosovës, sidomos kure është fjale për monumentet ortodokse.
Seance solemne e Kuvendit të Kosovës