Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

, 29.04.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës tash e tutje do të funksionojë me Rregulloren e re të punës. Në seancën e sotme, të kryesuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë u udhëhoq nga anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti), më shumë se dy të tretat e deputetëve e kanë votuar Rregulloren me amendamente të propozuara nga Komisioni për për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit.

Duke paraqitur raportin para Kuvendit, kryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni, theksoi se Rregullorja e re është e harmonizuar me Kushtetutën dhe referencat e Pakos së Presidentit Ahtisaari. Hyseni theksoi se ajo mundëson funksionimin më të mirë dhe efektiv të Kuvendit, ndërsa ndryshimet e bëra do të lehtësojnë tranzicionin institucional.

Kuvendi ka miratuar, me amendamente, Projektligjin për Mjekësinë Ligjore dhe atë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilët u prezantuan nga kryetarët e komisioneve përkatëse. U përkrah në parim edhe Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, të cilin e paraqiti para deputetëve ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Ai tha se ky projektligj është përpiluar në kuadër të strategjisë legjislative për 2010 dhe bazohet në praktikat më të mira evropiane dhe atyre të regjionit.

Projektligjin për Metrologji e prezantoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, i cili tha se vështirësitë e vërejtura gjatë zbatimit të ligjit aktual për Metrologjinë, kanë imponuar nevojën e ndryshimit të tij, me qëllim të avancimit të mëtejmë të sistemit të metrologjisë, si parakusht për zbatimin e shumë udhëzimeve dhe standardeve teknike të BE-së. Pas marrjes së mbështetjes nga ana e grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi në parim edhe këtë projektligj.

Kuvendi, ndërkaq, shtyu për seancën e 13 majit shqyrtimin e Projektligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe atë për Pagat e Nëpunësve Civilë, si nevojë e harmonizimit të amendamenteve ndërmjet komisioneve.

Pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat Ahmet Shala, Justina Pula, Bajram Rexhepi, Mahir Yagcilar dhe Nenad Rashiq. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur deputetes Synavere Rysha rreth pronave të Kosovës në Serbi e Mal të Zi, theksoi se edhe pse çështja e menaxhimit e ndërmarrjeve shoqërore i takon AKP-së si agjension i pavarur, ajo është ngritur disa herë nga autoritetet e qeverisë dhe do të jetë angazhim i vazhdueshëm i saj, në mënyrë që prona e Kosovës, kudo që gjendet, të shfrytëzohet në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Thaçi foli edhe për vendimet që pritet të merren sivjet për disa projekte të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ndërkaq, theksoi se pa reforma në drejtësi nuk mund të ketë sukses në implementimin e kritereve demokratike, si parakusht për integrimin në BE.

Seanca vazhdon nesër në orën 10:00.
Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës