Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës së Kuvendit

, 30.04.2010




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryetari i Kuvendit dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti) për herë të parë u shqyrtua Projektligji për konfliktet administrative, të cilin projektligj para deputetëve të Kuvendit e prezantoi ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri. Me këtë rast Tahiri tha se ky projektligj përcakton mbrojtjen gjyqësore të drejtave të personave juridik, të personave fizik, si dhe sigurimin e ligjshmërisë të akteve administrative me të cilat organet e administratës në kuadër të autorizimeve të tyre vendosin për të drejtat dhe detyrimet, në çështjet administrative. “Ky ligj bën përcaktimin se kush mund të jetë palë në konfliktin administrativ, duke përfshirë të gjitha subjektet që konsiderojnë se me aktin përfundimtar administrativ u është shkelur ndonjë e drejtë. Sipas këtij ligji kompetent për zgjidhjen e konfliktit administrativ është gjykata kompetente për çështje administrative”, theksoi ministrja Tahiri, duke sqaruar se në këtë ligj është paraparë edhe procedura e padisë.

Deputetë, me shumicë votash kanë miratuar në parim Projektligjin për konfliktet administrative, me ç‘rast Kuvendi ka ngarkuar komisionet përkatëse që brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë ta paraqesin raportin me rekomandime.

Deputetët, po ashtu kanë shqyrtuar dhe miratuar Raportin e Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2009.

Ndërsa, gjatë shqyrtimit të Raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për vitin 2009, deputetë të Kuvendit kanë zhvilluar një debat të gjerë rreth këtij raporti.

Disa nga deputetët opozitar, në bazë të dhënave të këtij raporti, theksuan se Prokurimi në Kosovës është nën nivel dhe se paraja e buxhetit të Kosovës po keqpërdoret. Deputetët kërkuan nga prokuroria që të merret më seriozisht me personat që e shkelin ligjin.

Gjatë këtij diskutimi deputetë të Kuvendit kanë vënë në pah faktin se Ligji për Prokurimin Publik duhet të ndryshohet, duke sqaruar tutje se një gjë e tillë është duke u bërë.

Pas shqyrtimit të Raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për vitin 2009, deputetë të Kuvendit me shumicë votash e aprovuan këtë raport.

Në vijim të seancës u miratua Raporti i Organit Shqyrtues të Prokurimit, për vitin 2009, si dhe Raporti i Agjencisë kundër Korrupsionit, për vitin 2009, me tri rekomandime të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Seanca do të vazhdojë punimet gjatë ditës së martë.
Nga vazhdimi i seancës së Kuvendit