Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në shënimin e 100 vjetorit të kryengritjes së Kosovës

, 30.04.2010




Në shënimin e 100-vjetorit të kryengritjes së madhe të Kosovës, të vitit 1910, organizuar nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe Instituti i Historisë së Kosovës, mori pjesë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe deputetë të parlamentit të Kosovës. Në fjalën e tij, me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi theksoi se, gjatë vitit 1910 Kosova i ka dhënë historisë sonë kombëtare faqe lavdie dhe qëndrese titanike. Më tej ai shtoi:“Qëndresa shqiptare në Shkallën e Kaçanikut, në krye me Idriz Seferin, në Jezerc të Shtimes e Caralevë, e prirë nga Isa Boletini e Hasan Budakova, në Qafën e Morinës e të Agrit, ku shkëlqyen udhëheqësit luftarakë, Zeqir Haliti, Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, dëshmoi jo vetëm shpirtin liridashës e heroizmin masiv të popullit tonë trim, por edhe organizimin e fuqishëm e aftësitë e larta luftarake të tij”, tha Krasniqi. Duke dhënë një pasqyrë të ngjarjeve të asaj kohe, kreu i Kuvendit tha se, pas Kongresit të Alfabetit shqip më 1908, Manastiri kishte pritur delegatët e një Kongresi tjetër Kombëtar të shqiptarëve në javën e parë të prillit të vitit 1910. Pranvera e këtij viti, theksoi Krasniqi, karakterizohej me zgjimin kombëtar e çlirimtar të Kosovës, sidomos me organizimin e formacioneve të armatosura, të cilat më vonë do të shndërrohen në forca të kryengritjes së përgjithshme të popullit shqiptar të Vilajetit të Kosovës kundër pushtuesve xhonturk.

“Ashtu sikur në Ferizaj më 1908, tribuni popullor i Karadakut dhe gjithë Kosovës, Idriz Seferi, sërish, por kësaj radhe në Gjilan, në fillim të vitit 1910, kishte organizuar një mbledhje historike dhe përcaktuese për zhvillimet e ardhshme në Kosovë. Shkëndijat e para të kryengritjes së madhe të vitit 1910, shpërthyen në Prishtinë gjatë marsit tashmë tradicional të trimërive dhe epopeve të Kosovës, kur një protestë kundër taksave ishte shkallëzuar në përleshje të armatosur”, tha kryeparlamentari Krasniqi, duke përkujtuar se, kryengritja shqiptare, shumë shpejt u përhapë në tërë Kosovën, për t’i dalë në ballë operacionit të madh kundër Kosovës, të udhëhequr nga gjenerali Turgut Pasha.

Duke folur rreth rëndësisë së kryengritjes së vitit 1910, Krasniqi tha se ajo konsiston në mobilizimin popullor për liri dhe nxitjen e kryengritjes së përgjithshme, me program kombëtar, e cila çoi drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se, sot, në njëqindvjetorin e vitit të lavdishëm të 1910-ës, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i lirë dhe në miqësi me shtetet fqinje, të rajonit dhe të botës demokratike. Ajo ia ka lënë historisë të kaluarën dhe është kthyer drejt së ardhmes prosperuese, në miqësi dhe partneritet me popujt dhe vendet e rajonit, në dobi të paqes, të bashkëpunimit e të proceseve integruese të Gadishullit tonë. “Ne jemi krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera që Kosova e re ka vendosur me demokracitë e mëdha, si SHBA, vendet e Bashkimit Evropian, Republikën e Turqisë, vendet anëtare të NATO-s, Kanadanë, Japoninë etj., të cilat ndihmuan vendin dhe popullin tonë të realizojë aspiratat e tij historike”, u shpreh në fjalën e tij, kryeparlamentari Krasniqi.

Në këtë akademi foli edhe kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ndërkaq në emër të familjes së Idriz Seferit , të pranishmit i përshëndeti Bajram Isufi.

Po ashtu, në orët e paradites së sotme, Instituti i Historisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë së Kosovës kanë organizuar sesion shkencorë për figurën emblematike të tribunit Idriz Seferi. Po sot, në qytetin e Kaçanikut u përurua edhe shtatorja e udhëheqësit të kësaj kryengritje, Idriz Seferit.
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në shënimin e 100 vjetorit të kryengritjes së Kosovës