Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të Pajtimit të Gjaqeve te Verrat e Llukës

, 01.05.2010




Verrat e Llukës janë të njohura në historinë tonë si vendtakimi i kuvendeve shqiptare për besa-besën e luftës kundër pushtuesve. Në vitin 1990, si sot njëzet vjet më parë Verrat e Llukës bashkuan shqiptarët me një sebep shumë të madh dhe në një manifestim madhështor simbolik e shumë domethënës.

Kështu tha sot manifestimin e organizuar te Verrat e Llukës në Deçan, në shënimin e 20-vjetorit të Pajtimit të Gjaqeve, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Në fjalën e tij para mijëra të pranishmëve që kishin ardhur për të kujtuar kuvendin e madh të faljes, kryeparlamentari Krasniqi tha se Lëvizja e pajtimit, e organizuar nga të rejat e të rinjtë patriotë entuziastë e largpamës të Kosovës, me në krye plakun e urtë dhe profesorin e studiuesin e nderuar, Anton Çetta, kishte arritur kulmin pikërisht te Verrat e Llukës.

Pasi bëri një elaborim të situatës politike të para dy dekadave, kreu i Kuvendit theksoi se populli ynë, i rrezikuar për të satën herë nga politika shoviniste dhe agresive serbe, ashtu si më 1981 dhe sipas traditës historike, por kësaj radhe gjerësisht nisi lëvizjen e faljes së gjaqeve dhe pajtimit kombëtar, për t’u mobilizuar në frontin e përbashkët të luftës kundër pushtuesit dhe për ekzistencën e lirinë e vet. “Në emër të Kosovës dhe të lirisë së saj, mijëra hasmëri familjare u zhdukën, e bashkë me to po zhdukej edhe një zakon i keq i gjakmarrjes, i mbetur nga e kaluara dhe i nxitur nga pushtuesit, me qëllim të sundimit më të lehtë mbi popullin tonë”, theksoi Krasniqi, ndërsa shtoi se populli ynë, që ka ditur gjithmonë të falë vëllain dhe të hakmerret mbi armikun, në ato çaste vendimtare e historike diti të falë dhe të organizohet e mobilizohet politikisht dhe më vonë edhe ushtarakisht për t’i dalë zot vendit të vet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shtabi i Përgjithshëm i saj, shtoi më tej kryeparlamentari, organizuan popullin kryengritës në Luftën e madhe dhe fitimtare për Kosovën e re, të lirë, sovrane dhe demokratike.

“Sot, njëzet vjet pas manifestimit te Verrat e Llukës, Kosova është realitet krejt tjetër. Si kudo, edhe këtu duhet thënë me zë të lartë, që Kosova e lirë dhe e pavarur është kurora e përpjekjeve plot sakrifica të brezave të shumtë të Lëvizjes sonë Kombëtare, e luftës titanike të UÇK-së së komandantit legjendar, Adem Jashari, e gjakut të derdhur lumë të mija dëshmorëve të lavdishëm dhe e solidaritetit ndërkombëtar me aspiratat legjitime të popullit tonë”, u shpreh në fjalën e tij i pari i Kuvendit të Kosovës. Krasniqi tha se epoka e luftërave në Kosovë ka mbaruar, por nevoja e pajtimeve mbetet gjithmonë, pas çdo lufte. Sipas tij, gjatë këtyre dy viteve të pavarësisë, Kosova ka ndryshuar shumë, duke bërë përparime të dukshme në të gjitha fushat.

“Proceset integruese kërkojnë bazën e gjerë shoqërore, kërkojnë unitetin e plotë, pozitë e opozitë, pakicë e shumicë, kërkojnë mobilizim të përgjithshëm, sepse interesi është i përgjithshëm. Dje pajtoheshim për të qenë bashkë në frontin e luftës së përbashkët, kurse sot duhet të jemi bashkë në frontin për një jetë më të mirë dhe të përbashkët”, tha ndër të tjera kryeparlamentari Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të Pajtimit të Gjaqeve te Verrat e Llukës